Komisioni i Venecias vlerëson se Presidenti Ilir Meta ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese ndërsa vendosi të anulojë 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve vendore. Në draft opinionin e tij, një kopje të të cilit e ka siguruar të plotë Zëri i Amerikës, Komisioni megjithatë vëren se sipas tij, nuk janë kushtet për të vërtetuar një shkelje serioze që do të çonte në shkarkimin e tij.
Në përfundimet e tyre, pasi kanë analizuar me detaje të gjithë rastin, ekspertët e Komisionit theksojnë se “në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Por sipas tyre “edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet”.
Në draft opinionin e Komisionit “anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata të jashtëzakonshme nuk u ndoqën në këtë rast. Nuk pati as një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc”.
Në dokument theksohet edhe se “anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat zgjedhore të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut… Mungesa e një baze ligjore dhe e alternativave në dispozicion (shtyrja e zgjedhjeve për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 170 të Kushtetutës, ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat zgjedhore, jo proporcionale”.
Presidenti Meta, duke mbrojtur aktin e tij, ka vlerësuar se përsa kohë i njihet e drejta për të caktuar datën e zgjedhjeve, atij i lind automatikisht dhe e drejta për tt’i ndryshuar apo anuluar. Sipas dokumentit të hartuar nga ekspertët, kompetenca për të caktuar datën e zgjedhjeve i është njohur Presidentit “për shkak të pozitës neutrale që Kushtetuta shqiptare i atribon Presidentit të Republikës si “Kreu i Shtetit” dhe si organi “që përfaqëson unitetin e njerëzve” (neni 86).”. Por, siç theksohet më tej
“këto kualifikime nuk do të thonë që autoriteti i Presidentit është mbi politikën. Ato do të thonë se Presidenti duhet të mbetet jashtë politikës partiake, me qëllim që të sigurojë mes të tjerash një konkurrencë të ndershme midis partive dhe funksionimin e rregullt të formës së qeverisë dhe veprimtarive të Shtetit tjetër. Në sistemet parlamentare – vënë në dukje ekspertët – statusi më i lartë midis autoriteteve publike i jepet Presidentit, jo sepse ai ose ajo është autoriteti më i fuqishëm, por sepse objektivat që ai duhet të ndjekë janë konceptuar të tilla që të qëndrojë përtej atyre të një politike partiake. Nga ana tjetër, pikërisht pse duhet të ndjekë këto objektiva, kushtetutat i besojnë Presidentit autorizime të përcaktuara posaçërisht, thjesht zyrtare ose gjithashtu thelbësore. Nga kjo rrjedh se, në ushtrimin e kompetencave të tilla, Presidenti jo vetëm që duhet të sillet në mënyrë të paanshme, por gjithashtu duhet të shihet të sillet në këtë mënyrë”.
Ndërsa zoti Meta i ka mëshuar mungesës në zgjedhjet të forcave kryesore të opozitës, ekspertët e Venecias vlerësojnë nga ana tjetër se “bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të penguar plotësisht çdo zgjedhje”. Duke analizuar vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore, Komisioni i Venecias shpjegon se “bojkoti në vetvete, nuk çon në një krizë kushtetuese apo paqëndrueshmëri të rendit publik, por kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve nëse partitë e zgjedhura politike nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të reformuar sistemin kushtetues dhe për të komunikuar me partitë e abstenuara politike ose elektoratin. Shtyrja e zgjedhjeve nuk është kështu e vetmja zgjidhje për t’u marrë me situatën. Reformat e mëtejshme kushtetuese mund të diskutohen midis palëve të interesuara edhe nëse mungesa e legjitimitetit të rezultateve të zgjedhjeve bëhet e qartë pas zgjedhjeve (për shkak të një niveli të ulët të pjesëmarrjes)”. Ekspertët theksojnë më tutje se “e drejta e votës përfshin të drejtën e zgjedhjes midis kandidatëve. Mungesa e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI, me të vërtetë mund të ndikonte në të drejtën e votës. Sidoqoftë, nuk ishte Shteti shqiptar që i pengoi këto parti të garonin në zgjedhje, por vetë partitë vendosën të bojkotojnë zgjedhjet”.
Ndërsa nuk kanë asnjë mëdyshje se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke i anulluar zgjedhjet lokale, e më pas duke i shtyrë ato”, ekspertët e Komisionit të Venecias theksojnë se “i takon parlamentit dhe në fund Gjykatës Kushtetuese, që të përcaktojë nëse kjo do të përbënte “shkelje të rënda”, të cilat do të lejonin një shkarkim të Presidentit”.
Ekspertët nga ana e tyre vlerësojnë se “një numër faktorësh tregojnë se nuk ishte i një karakteri të atillë, të nevojshëm për të vërtetuar një shkelje serioze. Kjo lidhet veçanërisht me thirrjet e Presidentit për dialog, pritshmërinë që shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte për të çuar palët drejt një kompromisi, mungesa e një ligji që rregullon saktësisht kompetencat e Presidentit, pamundësia për t’i sfiduar në mënyrë direkte, Dekretet e Presidentit përpara një gjykate dhe statusi kushtetues i zgjedhjeve lokale në krahasim me zgjedhjet parlamentare. Të marra së bashku, të gjithë këta elementë – theksohet në dokument – çojnë në përfundimin, që Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore. Sidoqoftë, elementet e paraqitura më lart mund të çojnë në përfundimin se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre mjaftueshmërisht serioze për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”, thekson dokumenti. /Voa/