Vendimi i gjykatës për të rihapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit pritet të tronditë politikën shqiptare. Kjo cilësohet si dosja e shekullit dhe pas 20 viteve duket se do të dalin në dritë misteret që ajo mban. Pak ditë më parë dosja hetimore prej 700 faqesh për vrasjen e Hajdarit është marrë në dorë nga Izet Haxhia dhe avokati i tij dhe aty janë vënë re një sërë mospërputhjesh me atë se çfarë është paraqitur në gjykatë në atë kohë. Gazeta ka mësuar detaje nga përmbajtja e dosjes dhe rezulton se aty janë zhdukur prova dhe materiale shumë të rëndësishme. Prova thelbësore që mungon është një ditar i Perikli Tetës, ministër i Brendshëm në vitin 1998, kur dhe u vra Azem Hajdari. Në dosjen hetimore ndodhet një letër e Perikli Tetës i cili tregon se gjatë hetimeve atij i është sekuestruar nga grupi hetimor një ditar, ku ai ka shkruar të gjitha ndodhitë për vrasjen e Hajdarit. Në atë ditar ka pasur të dhëna shumë interesante, ku flitej dhe me emra konkretë. Por ai ditar momentalisht nuk figuron në dosjen që ka marrë në dorë Haxhia dhe avokati i tij Bashkim Nikolla. Kjo tregon se në dosjen “Hajdari” janë futur duart dhe janë zhdukur prova. Dyshimet janë se kanë qenë personalitete të politikës së asaj kohe që kanë ndërhyrë, në mënyrë që e vërteta e vrasjes së Hajdarit të mos dalë në dritë. Por gazeta ka mësuar se Haxhia përmes avokatit të tij do të kërkojë të sqarohet kjo punë, ku nuk përjashtohet mundësia të kërkohet dhe një hetim mbi zhdukjen e të dhënave. Gazeta ka një sërë informacionesh që do i publikojë në ditët në vijim, ku tregohet se si është ndërhyrë në dosje dhe se çfarë realisht ka ndodhur me procesin hetimor. Dyshimet e Haxhisë janë se gjithçka ka qenë fasadë dhe autorët e vërtetë nuk janë hetuar. Ajo që e tregon këtë është se 21 përfaqësues të PD refuzuan dëshminë. Kjo do të thotë se dosja e vrasjes së Hajdarit do të tronditë dhe një herë opinionin publik dhe politikën shqiptare.
Hapja e dosjes
Izet Haxhia është sulmuar fortë ditët e fundit. Sali Berisha dhe djali i tij kanë lëshuar një sërë kritikash. Ish-kryeministri akuzoi Haxhinë se po paguhet nga Rama. Gazeta foli me avokatin e tij, zotin Bashkim Nikolla dhe mikun e tij Romeo Kara, të cilët shpjeguan detajet e ekstradimit të Haxhisë. Ashtu siç paraqitet dhe në kërkesën e avokatit, dorëzuar pranë gjykatës, ka qenë qeveria “Berisha” ajo që ka dhënë garanci për ekstradimin e Izet Haxhisë. Janë dy shkresa të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Jashtme, të cilat garantonin Turqinë dhe Gjykatën e Strasburgut se atij i lind e drejta për rigjykim. Pas vendimit që dha gjykata, avokati i Haxhisë do i drejtohet Apelit ku do e apelojë vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar liri për klientin e tij, me argumentin se ai nuk është autori i ngjarjes. Por duket se përballë do të kemi një betejë shumë të fortë, duke marrë shkas dhe se kjo dosje mund të tronditë politikën shqiptare. Interesant është fakti se nga dita në ditë reforma në drejtësi po jep rezultate dhe nëse ngrihen organet e reja të drejtësisë, rriten më shumë shanset që dosja e vrasjes së Hajdarit të zbardhet një herë e mirë./ Kliti Topalli