“Non grata” Sali Berisha replikoi ashpër ndaj kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Ish-lideri historik i demokratëve iu përgjigj sulmeve të Alibeajt teksa ky i fundit i përmendi se ballafaqimi ligjor me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Antony Blinken për shpifje lidhur me statusin “non grata”, nuk u shërben demokratëve. Berisha deklaroi se po lufton për të mbrojtur dinjitetin e tij njerëzor.
Berisha tha mes deputetëve të PD se është qytetari i dytë në botë që ka paditur sekretarin amerikan Blinken. Më tej, ai shtoi se është politikani më i votuar në Ballkan. “Beteja është për dinjitet njerëzor. Jam njeriu i dytë në botë që hedh në gjyq sekretarin e DASH. Kam mbrojtur sovranitetin e vendit.
Kam qenë kryetar shteti, kryeministër, jam më i votuari në rajon”, iu përgjigj Berisha Alibeajt. Ky i fundit i kërkoi ish-liderit historik të demokratëve se mund të marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar demokrat pasi është përjashtuar nga partia.
Berisha: Përjashtimi im, vendim nul
Në daljen për mediat, Berisha përsëriti se vendimi i përjashtimit nga PD, i cili u përmend si argument nga Alibeaj që ai nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar demokrat, është i pavlefshëm. Ish-kryeministri përmendi sërish se përjashtimi dhe pezullimi i tij dhe kolegëve të tjerë demokratë është rrëzuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i cili shkarkoi me 4446 vota Lulzim Bashën nga posti i kryetarit të partisë më të madhe opozitare si dhe nga rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.
Berisha e konsideroi diversitetin në PD si faktor për një bashkim sa më produktiv të partisë. “Vendimi që pretendon Alibeaj është nul dhe nuk ekziston. Demokratët kanë folur për këtë gjë, kanë folur më 11 dhjetor, më 6 mars.
Kombinacionet antiligjore Basha-Rama marrin fund. Mendoj se është rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet i cili e bën edhe më demokratike PD”, vazhdoi më tej Berisha.
I pyetur se përse mungoi ish-lideri i opozitës Lulzim Basha në mbledhjen e parë të plotë të grupit parlamentar të PD që pas 9 shtatorit 2021, faqja e zezë e demokracisë shqiptare “non grata” saktësoi se Komisioni i Rithemelimit nuk përjashton asnjë deputet nga grupi parlamentar demokrat dhe u kërkoi mediave që të pyesin Bashën për mungesën e djeshme në selinë blu.
“Është pjesë e grupit. Pyesni Bashën pse nuk erdhi, ne nuk përjashtojmë njeri”, përfundoi Sali Berisha.
Ballafaqimi i fundit Alibeaj-Berisha
Në 25 mars, ditën kur Gjykata e Tiranës regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit të “Foltores”, Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD shkuan ën selinë blu. Ai u takua me kreun e përkohshëm të PD, Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit i kërkoi që të mos garonte për lider të partisë pasi me të, PD nuk mund të vijë dot në pushtet. Berisha refuzoi një gjë të tillë dhe tregoi se në 2005 ai riktheu partinë në qeveri.