Presidenti Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Të paekspozuarit’ deklaroi se edhe pse drejtësia, sipas tij, është e kapur nga Edi Rama, ai nuk ndihet i frikësuar dhe thotë se nuk ka patur frikë as në vitet 90′ kur e kërcënonin se do ta burgosnin, duke iu referuar Sali Berishës.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Rama thotë t’ju hetojë SPAK. Ndiheni i frikësuar nga një hetim i mundshëm i SPAK?
Ilir Meta: Zoti Rama ka frikërat dhe ankthet e veta. Kërkon ti transferojë te të tjerët për tu çliruar. Ka shumë shokë që i ka bërë bedela. Ata janë cironka. Asgjë nuk bëhet pa vullnetin e kryeministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Sidomos ato akte që janë kundërshtuar nga ministra të caktuar. Ai ka hallet e veta. Ka 10 vjet që qeveris, nuk ka me kë të ndajë fajin. Thotë mos shikoni çfarë po bëj unë, hatanë, por çfarë kanë bërë Berisha, pellazgët, Ilirët, etj.
Sa i takon raportit të Metës me drejtësinë. Ka qenë raport i hapur, i drejtpërdrejtë dhe i ndershëm. Nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë. Edhe kur drejtësia është sjellë në mënyrë të padrejtë, unë e kam fituar betejën.
Ylli Rakipi: Ju e konsideroni drejtësinë të kapur nga kundërshtari juaj politik. Është e çuditshme, nëse e ka kapur ky njeri, si ka mundësi nuk keni frikë?
Ilir Meta: Unë kam frikë nga e vërteta dhe nga ligji, nuk mund të kem frikë nga abuzimi i pushtetit dhe nga marionetat e pushtetit. Kur nuk kisha frikë në 92-93, që më kërcënonin çdo javë, thoshin do të fusim në burg. Ky thotë të përgjigjet Meta? Nëse ka një gjë për 2 vjet e gjysmë që ka qenë kryeministër, janë fasadat e Edi Ramës te ministria e kulturës kur unë isha kryeministër
Ylli Rakipi: Më shumë se Edi Rama këtë drejtësinë e kontrollojnë ndërkombëtarët, që kanë paguar për reformën. Nuk e keni këtë ide ju?
Ilir Meta: Ju i dini qëndrimet e mia konsistente, koherente, për çështjen e reformës në drejtësinë. E dini që kam dënuar momentet kur partnerë të caktuar janë bërë palë me Ramën për kapjen e drejtësisë. Edhe lidershipi i opozitës ka qenë palë me Ramën, duke luajtur kartën e bojkotin. Por, të parët që paguajnë reformën në drejtësi janë shqiptarët. Dëmet janë me miliarda euro, të mosfunksionimit siç duhet të drejtësisë. Mijërat e dosjeve, që nuk marrin zgjidhje, i paguajnë qytetarët shqiptarë.