Sali Berisha ka mohuar gjithçka lidhur me akuzat e ngritura nga DASH për korrupsionin dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për të dhe familjarët e tij.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, Berisha tha se fëmijët e tij nuk janë përfitues të fondeve publike, duke mohuar edhe përfshirjen e djalit të tij në çështjen e Gërdecit.
“Djali im ka marr 3 ose 4 muaj rrogë në një ndërmarrje publike dhe s’ka marrë kurrë më. Nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga sektori publik dhe as nga kompani të lidhura me sektorin publik”, tha Berisha.
Fevziu: A e ka përdorur pushtetin tuaj për ndonjë aferë të tij?
“Pushteti im shtrihet në sektorin publik. Nuk ka fituar asnjë qindarkë nga sektori publik dhe as nga përfituesit e sektorit publik”, tha ish-kryeministri.
Fevziu: A kishte lidhje me Gërdecin?
“Aq sa ke dhe ti. Janë të gjitha trillime, të faktuara me çdo gjë. Kurrë s’ka pat”, tha ai.
Berisha, nënvizoi me forcë se asnjëri nga familjarët e tij, nuk ka përfituar kurrë; asnjë qindarkë nga shërbimet publike.
Sipas tij, bashkëshortja Liri, ka punuar dhe është vlerësuar me çmime të larta të autizmit, ndërsa djali Shkëlzeni nuk ka pasur kurrë lidhje me Gërdecin.
“Bashkëshortja ime ka 15 vite që punon pa pushim, duke ngritur një shërbim ekselent të autizmit në Shqipëri. I ke përmendur tjetrin gruan, duhet të kesh ca baza, kur e përmend. Është e nderuar me çmime të larta të autizmit, të grave demokrate, të Kongresit Amerikan, të organizatave të Mishel Obama.
Djali im ka marrë rrogë në fillim dhe nuk ka marrë kurrë më asnjë rrogë. Nuk ka përfituar qoftë edhe një qindarkë nga sektori publik apo kompani të lidhura me sektorin publik. Pushteti im si kryeministër shtrihet në sektorin publik.
Ai nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga sektori publik, por as nga përfituesit e sektorit publik. Aq sa ke ti lidhje me Gërdecin, aq ka dhe djali im. Kurrë nuk ka pasur, janë vetëm trillime.
Vajza ime kur është kthyer nga Kosova ka bërë bilancin. Ata kanë punuar 7 vite në Kosovë, në pozicion të mirë, me burrin e vet, dhe të ardhurat arrinin në 1 milion e 400 mijë dollarë. Kishin shpenzuar 400 mijë dhe janë kthyer me 1 milion, të certifikuara nga OKB”, tha Berisha.