Juristi kreshnik Spahiu doli sot në emisionin “Frontline” pas intervistës së realizuar me Inteligjencë Artificiale me kryebashkiakun Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej një muaji, pas arrestimit nga SPAK.
Ai tha për moderatoren Marsela Karapanço në Report Tv se javën e ardhshme Gjykata e Apelit mund ta ndryshojë masën e arrestit për kryebashkiakun, pasi masa shtrënguese për një zyrtar të lartë është e tepruar, sepse nuk janë marrë parasysh masat e tjera që parashikon Kodi penal.
“Dua t’ju komplimentoj për mënyrën teknike të realizimit të një interviste të tillë me kryebashkiakun. Sepse edhe ditët në vijim do ketë shqyrtim gjyqësor në Apel për masën e kryetarit Erion Veliaj, që prezumohet i pafajshëm, por është i izoluar. Pritet të ketë surpriza në seancën gjyqësore, sepse strategjia e mbrojtjes po justifikon edhe mjetet që zoti Veliaj po përdor e ndjek.
Veliaj është ende nën hetim, nuk kemi ende një akuzë të përfunduar nga Prokuroria apo kalim për gjykim, jemi në fazën e dyshimeve të arsyeshme, që çuan në masën e sigurimit. Ajo që pritet është jo që ka apo jo prova, i fajshëm apo i pafajshëm, por një betejë ligjore nëse masa arrest me burg është e ligjshme apo represive. Masë që gjykata e justifikon sipas Kodit Penal apo jo”, tha Spahiu.
Më tej ai shpjegoi se Gjykata duhet të japi argumente të forta ligjore dhe juridike pse vendoset një masë kaq shtrënguese, kur shkaqet nuk qëndrojnë, pra nuk përbën rrezikshmëri dhe as po arratiset.
“Gjykata ka detyrimin që para se të marri verdiktin për të lënë në fuqi arrestin me burg, pse masat e tjera shtrënguese që parashikon Kodi Penal, si arresti shtëpiak apo detyrimi për paraqitje nuk janë aplikuar. Duhet të arsyetojë pse nuk aplikohen, e pse rrezikshmëria e Veliajt është aq e lartë sa vetëm burgu e justifikon.
Provat kanë dalë në ankandin mediatik, në nuk jemi gjykatë. I bie të jemi dy vjet përpara, se procesi mund të jetë pas dy vitesh. Berisha u vu nën hetim para 3 vitesh dhe s’ka shkuar ende në gjykatë. Ne presim të dimë nga Gjykata pse masa e arrestit me burg është më e përshtatshmja apo e ligjshmja”, shpjegoi juristi.