Një figurë madhore ajo e “Artistit të Merituar” Ilia Shyti, pavarësisht se jo për faj të tij, por për një ‘cen’ në biografi, absurditet i diktaturës, ju dhanë role të dyta dhe disa herë episodike.
Por askush nga ne nuk e ka harruar figurën e tij flokëbardhë, zërin e ëmbël e të butë, buzëqeshjen e çiltër. Ishte për disa dekada ai, gjyshi, vëllai, babai i dhimbshur e i dashur për të gjithë. Kjo falë edhe qindra përrallave që përcillte zëri i tij në Radio Tirana.
Një adoleshent që mori armët e luftoi në Luftën Partizane. Më pas një drejtues kulture në qytetin e tij të dashur, Lushnjën. Por Ilia Shyti yllin e shkëlqyer e kishte aty, në teatër e në film. Prek skenën e madhe më 1951 dhe shkëlqen tek “Karnavalet e Korçës” por arratisja e të vëllait komplikon shumëçka.
Një jetë e pasur me role brilante por edhe që ka brenda saj dy ekspozita pikturash me portrete të kolegëve dhe tablo natyre. Më 19 korrik 1929 takoi diellin në Lushnjë por jetën e tij artistike e lulëzoi në Tiranën e madhe. Teatrin e kishte shtëpi të dytë dhe gjatë gjithë jetës së tij artistike interpretoi mbi 100 role. Në moshën 65-vjeçare, në vitin 1994, luajti dramën e tij të fundit në Teatrin Kombëtar, titulluar “Fando dhe Lis”.
Arratisja e vëllait të tij, që edhe sot jeton në SHBA, u bë edhe “Shpata e Demokleut” mbi kryet e aktorit të madh, Ilia Shyti. Karriera e tij vazhdoi sepse ai, siç tregojnë vajzat e tij dhe kolegët, punoi me trefish devotshmëri. Por me pasigurinë dhe panikun se një ditë çdo gjë do të shkatërrohej.
Ja si e rrëfen atë kohë Antoneta Shyti, vajza e madhe e aktorit të mirënjohur. E cila në ato vite ishte adoleshente dhe i ka përjetuar ato ngjarje me shumë dhimbje:
Si i kujtoni ditët e arratisjes së xhaxhait tuaj, që shënuan më pas jetët tuaja?
“Babai ka qenë më i vogël se vëllai që u quajt “i arratisur”. Xhaxhai ka punuar në Ministri të Brendshme në revistën “Kufitari”. Ka qenë piktor dhe drejtues. Në ato vite vinin të huajt si turistë në zonën e Hotel “Adriatikut” dhe ai shkonte atje.
Fliste disa gjuhë të huaja. Ishte një burrë i vogël, i imët por shumë inteligjent. Gjuhët i mësonte vetë. Një ditë të bukur, gjyshja ime e kërkon pranë Ministrisë së Brendshme sepse kishte ikur pa lënë adresë.
E informojnë se e kishte çuar partia me punë diku, ndaj dhe gjyshja nuk pyeti më. Një ditë të bukur, ka qenë gusht, babai im ishte me një xhirim filmi. Unë e mbaj mend shumë mirë sepse kisha mbaruar shkollën 7-vjeçare. Dhe interesohesha për të hyrë në shkollën e mesme, doja të vazhdoja Teknologjike dhe doja të gjeja një bursë sepse ishim 5 fëmijë në shtëpi.
Xhaxhai ndodhej me shërbim në Gurëbardhë të Korçës, do të realizonte portretin e një kufitari. Aty ashtu si na thanë, duke bërë portretin e kufitarit. Eci mbrapsht në zonën neutrale dhe patrulla nuk mundi t’i gjuante.
Kjo sipas thënieve të tyre.
Pyesin gjyshen ku e ka djalin, ajo sigurisht i thotë se pyeti dhe i thanë se e ka dërguar partia me punë. Xhaxhai im tjetër, Sokrati, sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik, kishte mbaruar studimet për Fizikë bërthamore por ishin ndërprerë studimet nga situata politike. Halla ishte më e re, 22 vjeçare dhe punonte disenjatore në Fabrikën e Qelqit.
Unë i mbaj mend mirë ato momente të dhimbshme sepse mamaja ka qenë shtatzënë me motrën time Alma. Kthehet babai nga xhirimi i filmit, një film me regjisor Kristaq Dhamo. Një gjendje e tmerrshme, një panik i frikshëm ra në familje. Sepse diskutohej çështja se kush do të internohej dhe ku.
Ju nga se “shpëtuat” nga internimi?
Ne në atë kohë kishim fatin që babai kishte bërë ndarjen nga trungu i familjes. Ku ishte edhe xhaxhai im i arratisur. Të tjerët që ishin me banim tek Parku i Autobusëve, ishin në një familje.
Mbaj mend atë shtator ku unë e kam parë kamionin që i mori dhe i internoi në Kolonjë të Lushnjës. Gjë më të tmerrshme nuk kishte për mua, ngarkuan plaçkat pa na thënë as vendin ku di t’i çonin. Babait ja ndaluan të takohej me ta, në të kundërt do të na internonin edhe ne.
Vetëm pasi mami lindi, morëm iniciativën të shkonim t’i takonim. Dhe nuk do ta harroj kurrë atë shtëpi si një stallë derrash, në Kolonjë të Lushnjës. Një varfëri ekstreme. Ishte ajo koha kur filloi edhe për Ilia Shytin shtypja, presioni, në vetvete dhe nga opinioni. Pavarësisht se ne vazhdonim jetën, por çdo moment kishte sulme, kishte presion, babai dhe ne ishim me një këmbë në greminë e një në tokë, me frikën për çdo fjalë e çdo veprim.
Por ishte kolektivi ai që e shpëtoi babain tim, e mbrojti me shumë forcë. E mbështeti duke ngritur lart punën e tij dhe talentin në role si dhe ndershmërinë e tij njerëzore. Janë bërë shumë mbledhje në ato vite nga Sektori i Kulturës i Komitetit Qendror, kishte edhe Ramiz Alia. Ne në familje i prisnim me frikë ato mbledhje, me tmerr e panik. Unë rrija jashtë sallës e prisja se çfarë do të ndodhte. Por falë atij kolektivi babai qëndroi. Por e vuajti shumë sepse shpesh i hoqën role kryesore.
Ju vjen në mendje ndonjë ngjarje lidhur me vështirësitë që haste babai?
Kujtoj p.sh një turne të Teatrit Kombëtar me dramën “Cuca e Maleve” në Kosovë. U bënë të gjitha përgatitjet për të shkuar dhe vetëm një ditë përpara lexuan emrat e atyre që do të shkonin dhe që nuk do të shkonin. Babai im ishte hequr nga lista.
Besoj se e imagjinoni trishtimin dhe dhimbjen e tij që e ndau me nënën time, me lot në sytë e të dyve, në dhomën e tyre, me zë të ulët që ne fëmijët të mos shqetësoheshim. Unë e dëgjova të tërë bisedën dhe nuk fjeta tërë natën.
Me atë guximin prej vajze të re vendosa të bëja diçka dhe vajta në ministri, kërkova tek porta ministrin ose zëvendësministrin. Ky i fundit, e kujtoj shumë mirë, ka qenë Mantho Bala. Më drejton roja nga porta e pasme ku kuadrot hynin.
Më tregoi se do të vinte me një makinë “Volvo” ngjyrë veje. Kur erdhi makina, i kam dalë përpara dhe shoferi mezi frenoi. Kur ata dolën vërtik nga makina me frikën se më kishin shtypur, mua më vërshuan lotët dhe e pyesja se çfarë gabimi paskësh bërë babai im, një ish-partizan, që nuk do të lejohej në Kosovë.
Më ngjiti lart në zyrë, më garantoi që babai im do të shkonte në Kosovë dhe më tha që babai të nisej me një makinë e të shkonte në kufi që të arrinte trupën aty. Kështu u bë, brenda ditës babait ju bë pasaporta dhe u nis.
Nuk e harroj lumturinë që babai arriti të bashkohet me kolegët, sepse e vuajti shumë këtë ngjarje. Shpeshherë, mendoni, babai bisedonte me mamanë dhe i thoshte që të mos na ushqente dëshirën për t’u martuar me oficerë ose njerëz të partisë, sepse do të vuanim. Atëherë nuk e kuptoja por më pas e kuptova arsyen e tij në këtë pikë.
E kishte peng të madh mosmarrjen e titullit “Artist i Popullit”?
Si rrjedhim i gjithë kësaj lufte psikologjike për biografinë, sigurisht që e pati peng të madh faktin që nuk u nderua me titullin “Artist i Popullit”, pavarësisht kontributit të madh e të gjatë.
Kur mori titujt “Qytetar nderi” në Lushnjë e në Fier, kur pa turmën e madhe me njerëz që erdhi dhe e përgëzoi, e shprehu këtë peng të tijin por gjithmonë shumë lehtë dhe i rezervuar sepse gjithmonë ka dashur që ne fëmijët të mos shqetësoheshim.
Ndihem shumë mirë edhe sot që kur shkoj nëpër rrethe ose me pushime, shumë njerëz që e mësojnë që jam bija e tij, ngrihen e vijnë të më takojnë dhe të shprehin një konsideratë e respekt të madh. Them pra me bindje që babai im, Ilia Shyti, vetëm me punën e tij të madhe, me vendosmërinë që kishte, me dedikimin ndaj artit, arriti të mundte opinion e keq të absurdit të politikës. Atë e deshi shumë publiku dhe kolektivi, kolegët. Këtë nuk ja hoqën dot asnjëherë.
Mamaja ime që sot është 85 vjeç, edhe sot në mëngjes që e takova, hodhi sot nga portreti i tij në mur dhe thotë: “Ah mor Lili, sa mirë që më ke mbajtur!”, babai im ishte shumë familjar dhe shumë i respektueshëm ndaj mamasë time, ai ja kishte ngritur asaj vlerat aq shumë sa që edhe koleget e tija e adhuronin nënën time, sepse të tilla ua kishte bërë ai figurën e saj.
Një burrë që ja jepte e ja njihte të gjitha meritat mamit, si një grua e sakrificës. Edhe sot që jam unë gjyshe mendoj se si nuk ka arritur ende ajo ditë që njerëzit të vlerësohen nga talenti dhe puna që bëjnë, nga aftësitë e tyre profesionale, e jo nga origjina politike ose familja.
Në çfarë tiparesh mendon se ngjan me babain?
Unë kam natyrën dhe karakterin e Ilias, babait tim, jam shumë e drejtë si natyrë, çfarë kam në mendje i them, pavarësisht nga ato që mund të rezervohem, i them gjërat me pastërti. Unë të dua, si ai, me shpirt, të dua kaq shumë sa që nuk dua që t’i ta marrësh vesh që të dua kaq shumë. Kur të dua të dua me shpirt por kur nuk të dua, nuk të dua dhe pikë.