Reforma në drejtësi ka shtuar shpresat se korrupsioni në nivele të larta do të goditet. Deri më sot askush nuk është përballur me drejtësinë, edhe pse ministra, ish-ministra e deputetë kanë qenë me dosje në prokurori. Kjo ka ndodhur për shkak të Adriatik Llallës.
Ky i fundit mbylli dosjet më të forta të korrupsionit për shumë ish-ministra të PD, por dhe për ministra të qeverisë “Rama”. Kjo gjë është theksuar dhe në disa raporte ndërkombëtare. Sipas këtyre raporteve në Shqipëri ka mbizotëruar klima e pandëshkueshmërisë, sidomos në nivele të larta. Edhe pse janë të shumë zyrtarët që janë kallëzuar për afera, fshehje pasurie dhe shkelje të tjera, deri më sot të gjithë i kanë shpëtuar ndëshkimit, kjo falë prokurorisë dhe gjyqësorit të dobët shqiptar. “Pandëshkueshmëria mbetet një problem.
Prokuroria dhe veçanërisht dënimi zyrtarëve të lartë që kanë kryer abuzime mbetet sporadik dhe i pandjeshëm. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe ata që kanë interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë qenë të aftë të shmangin gjykimin”, është theksuar në raportin e DASH. Në zyrën e Adriatik Llallës janë bërë me dhjetëra kallëzime, por që për të gjithë u pushuan hetimet. Nëse i marrim me radhë, kur Veliaj mori postin e kryebashkiakut bëri dy kallëzime ndaj Bashës për abuzime me lejet e ndërtimit. Po ashtu ish-ministri Saimir Tahirit kallëzoi penalisht Bashën se tentoi të hidhte lëndë helmuese në protestën e 21 janarit. Raste të tjera janë paditë ndaj Ridvan Bodes për rrugën Durrës-Kukës, apo ndaj Arben Imamit për abuzimet kur ishte ministër i Mbrojtjes.
Gjithashtu është dosja e shitjes së detit, apo skandali i CEZ. Të gjithë ato dosje janë hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe janë mbyllur pa i dhënë sqarime askujt se përse u mor një vendim i tillë. Rasti i fundit i privatizimit të OSSH nga CEZ e tregoi qartë se si ishte mbyllur dosja, pasi gjykata e hodhi poshtë. Duket se frika më e madhe e demokratëve është pikërisht se kryeprokurorja do të zbulojë abuzimet e Adriatik Llallës mbi mbylljen e këtyre dosjeve. Por dosje të rëndësishme kanë pasur dhe prokuroritë e rretheve, sidomos sa i takon bandave apo kryebashkiakëve dhe zyrtarëve rajonalë. Edhe për ta gjithçka është mbyllur në heshtje.