Ka marrë fund arratia e ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla. Pas më shumë se 2 muajsh në kërkim, i janë vënë prangat ish-kryeprokurorit Llalla, i cili është arrestuar në Romë të Italisë, ku dhe ka qëndruar përgjatë këtyre javëve që ishte në arrati. Gazeta ka mësuar detaje ekskluzive nga procesi i arrestimit të ish-kryeprokurorit.
Sipas burimeve, ai është arrestuar në ambientet e një hoteli në Itali nga karabinierët, pas informacioneve të marra se kishte disa javë që qëndronte aty. Por pas verifikimeve, ai nuk është futur në qeli, por po mbahet në ruajtje në një ambient të veçantë që monitorohet nga autoritetet italiane, ndoshta po dhomë hoteli. Madje sipas tyre, ka dhe çështje sekrete në këtë mes dhe procesi është mbajtur i fshehtë, pasi Llalla ka disa ditë që është zbuluar dhe vetëm tani u bë njoftimi.
Gazeta pak javë më parë ngriti pikëpyetje nëse Llalla do kthehet në të penduarin e drejtësisë dhe të zbulojë gjithë pushtetarët e korruptuar. Fakti që ai nuk po mbahet në qeli, por po mbahet në ambiente të posaçme, ndoshta hotel apo vende të tjera, si dhe mediat italiane flasin për çështje sekrete në mes, dyshimet janë se ai ndoshta mund të kthehet në një “pendito”.
Ekstradimi
Sipas burimeve, Llalla ka bërë një kërkesë për të fituar azil politik në Romë. Por mësohet se duke qenë se ka një vendim të formës së prerë ndaj tij, 99 për qind e gjasave janë që ai të refuzohet. Mësohet se ky proces mund të vonojë rreth 3 javë ekstradimin tij dhe më pas ai do të sillet në Tiranë. Ndërkohë, Interpol Tirana ka publikuar njoftimin zyrtar për arrestimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në njoftim, bëhet me dije se është bërë i mundur arrestimi i Llallës në Romë pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë.
“Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në pranga, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Romës. Kapet në Itali, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale:
“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim. Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”, thuhet në njoftim./ SIDORELA BRAÇJA