Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet sa i takon aferës së CEZ. Prej gati dy muajsh kanë rinisur hetimet ndaj padisë që kanë bërë Kuvendi dhe juristi Romeo Kara ndaj një sërë ish-zyrtarëve të lartë, duke i akuzuar ata për shpërdorim detyre në privatizimin e OSSH, sot OSHEE, nga çekët e CEZ. Në shkurt u morën në pyetje Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministri i Energjisë Genc Ruli. Por pas kësaj duket sikur ngecën hetimet. Mirëpo gazeta ka mësuar se nuk ka ndodhur aspak një gjë e tillë, pasi po zhvillohet një hetim mjaft i thellë nga prokuroria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Burime të sigurta të gazetës kanë mësuar se prokuroria tashmë e ka kthyer vëmendjen te bankat e nivelit të dytë. Në padinë që ka bërë komisioni dhe zoti Kara, pretendohet se në llogarinë bankare të sekserit Nuel Kalaj janë transferuar 7 milionë euro nga CEZ, ndërsa po ashtu kanë hedhur akuza dhe ndaj zotit Shkëlzen Berisha se gjatë kësaj periudhe kanë ndryshuar vlerat në llogaritë e tij bankare. Për këtë arsye organi i akuzës ka nisur verifikimet për të parë se sa qëndrojnë këto akuza. Kur dosja u hetua në periudhën e Adriatik Llallës, u shmang kontrolli bankar dhe gjykata më pas kërkoi rihetim të plotë të dosjes. Për këtë arsye prokuroria tashmë po kontrollon vërtetësinë e pretendimeve sa i takon transfertave bankare. Për këtë arsye në lëvizje është vënë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të parave. Një gjë e tillë u konfirmua nga drejtori i saj, i cili prezantoi në Komisionin e Sigurisë raportin vjetor të vitit 2017. Gjatë deklaratës së tij, ai tha se DPPPP ka arritur të zbulojë se në llogari të Nuel Kalajt ka pasur një transfertë nga Çekia në vlerën e 7 milionë eurove. Por nga ana tjetër ai ka bërë të ditur se institucioni ka rënë në gjurmët e tyre dhe ka arritur të zbulojë se paratë sapo janë transferuar, janë tërhequr në Shqipëri dhe sërish janë nxjerrë jashtë vendit. Kreu i DPPPP preferoi të mos jepte detaje mbi destinacionin e tyre, por deklaroi se kjo çështje po ndiqet dhe nga prokuroria dhe po shihen me detaje të gjitha lëvizjet e parave. Por gazeta ka mësuar se organet kanë arritur të zbulojnë të dhëna mbi destinacionin e tyre. Paratë dyshohet se kanë kaluar në rrugë tokësore dhe po kërkohen informacione nga Çekia nëse ka dijeni mbi lëvizjet e parave. Në aktpadi pretendohet se Nuel Kalaj përfitoi 7 milionë euro nga arritja e marrëveshjes me çekët. Por sinjalet janë se prokuroria tani po ndjek paratë dhe mesa duket afera CEZ mund të zbardhet dhe kjo gjë mund të sjellë goditjen më të madhe ndaj korrupsionit në këto vite.
Akuzat ndaj Kalajt
Juristi i OSHE, Romeo Kara, ishte personi që denoncoi drejtpërdrejt Nuel Kalajn, si sekserin që arriti të bënte të mundur marrëveshjen e Berishës me CEZ. Ai ka dorëzuar në prokurori disa prova, kryesisht e-maile, që implikojnë personin në fjalë. Një ndër to është dhe një bisedë e tij me përfaqësues të CEZ, ndërsa ka dhe biseda me vetë drejtuesve të CEZ që përmendin emrin e tij. Në një e-mail thuhet: “Mirdita Tomas! Në ankesë janë përgatitur dokumentat. Ne do të përmendim kërkesat tona ndaj qeverisë sa është debia që duhet paguar tani. Do të të pres ty me Nuelin në aeroport në sallonin VIP. Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera, i shpjegova në detaje se çfarë ne kërkojmë. Takimi me të birin sipas Nuelit është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Mbrëmë kam shtrënguar duart me kryeministrin në takimin me investitorët. Ai tha se është i kënaqur do të takoj nesër. Çfarë duhet të presim nga kryeministri. Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90% konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë”. Lidhur me këto e-maile prokuroria e thirri Kalajn për ta marrë në pyetje, por ai ka refuzuar. Megjithatë hetimet janë duke vijuar me ritme të shpejta./Kliti TOPALLI