Ish deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, sipas burimeve policore ndodhet që prej orës 3 të mëngjesit të datës 1 Prill në ambjentet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Sipas procedurës, pritet që Bllako të dalë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për rivlerësim të masës së sigurisë.
Nëse gjykata nuk e ndryshon masën e sigurisë “arrest me burg” që ka kërkuar SPAK, ish deputeti do të duhet të dërgohet në ambientet e paraburgimit, në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.
Sipas burimeve ish-deputeti Alqi Bllako mund të dërgohet në burgun “313” në kryeqytet. Në këtë burg u dërgua fillimisht edhe ish ministri Saimir Tahiri, pas vendimit të gjykatës që e shpalli fajtor dhe e dënoi me tre vite e 4 muaj burg.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit doli me një njoftim për media mëngjesin e 1 prillit, ku tha se “informojmë publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme”.
“Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, vijonte njoftimi sqarues i Policisë.