Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i ka dërguar dje një letër kryeprokurores Arta Marku, pas lajmit të publikuar nga Partia Demokratike, se Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin që Agim Kajmaku është shtetasi Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi për falsifikim parash.
Në letrën drejtuar Markut, Kajmaku sqaron se është vënë në dijeni të dënimit nga autoritetet greke, pasi është zgjedhur kryebashkiak i Vorës. “Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë”, thekson Kajmaku në letër.
Në vijim të sqarimit të tij, në letrën dërguar Markut, Kajmaku thekson se ka kërkuar heqjen e pezullimit nga drejtësia greke. “Në përfundim të këtij gjykimi ka vendosur më datë 12.09.2019 shpalljen të pafajshëm të të akuzuarit për aktin e vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara, që pretendohet se është kryer në Arta, Greqi, më datë 13 janar 2003”, ka theksuar kryebashkiaku Kajmaku në letër. Kajmaku i ka kërkuar prokurorisë në letër që të administrohet në rrugë zyrtarë një kopje e vendimit gjyqësor jopërfundimtar, si edhe të verifikohet autoriteti gjyqësor që e ka dhënë atë dhe nëse ai është organ i një prej shteteve anëtare të BE-së, SHBA, Kanada apo një shteti tjetër të përcaktuar me vendim të Kuvendit.
“Prokuroria duhet të verifikojë nëse vendimi jopërfundimtar, masa e sigurimit personal ose urdhri i kërkimit ndërkombëtar është dhënë për kryerjen apo tentativën e kryerjes së ndonjë prej veprimeve apo mosveprimeve që përmbajnë veprat penale të përmendura në shkronjën “a” të pikës 1, të nenit 2, të ligjit nr.138/2015, Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Përfundimet e procesit të verifikimit që realizohet sipas neneve 8 dhe 16 pika 4 të ligjit nr 138/2015 i përcillen organit përgjegjës brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre”, ka sqaruar Kajmaku në letrën dërguar Arta Markut.