Nga Pirro PRIFTI
Karshillëku katundaresk i një Presidenti të zgjedhur me votat e të majtëve, ngadalë-ngadalë po kthehet në një boomerang të rrezikshëm kundër vetë Presidentit të Republikës duke i rrezikuar kështu jo vetëm pozicionin honorifik si President, por edhe do të hapë kutinë e Pandorës të këtij individi, i cili ka një të kaluar të çuditshme gati 30 vjeçare si militant i së majtës dhe si drejtues i saj.
Askush nga individët e dalë pas shpërbërjes së PPSH nuk ka patur fatin e mirë të ketë patur shumë funksione në të majtën që sot drejton vendin deri në 2003, si dhe pas 2013 kur krijoi LSI, e cila rezultoi një parti e militantëve të majtë të pangopur me privilegje dhe pushtet, dhe në paradoks me etje-urinë e tyre për fituar Trinomin: pushtet- para-seks, dilte si kurdoherë tek këta pafillo mungesa e shkollës së lartë, mungesa e titujve akademikë, mungesa eksperiencës në punë, dhe aftësia për akraballëqe, dhe për të shkelur ligjin. Pra një parti pa ideale, me njerëz që u mungonin idealet dhe kryetari i tyre përfaqësonte kapelën ku ruheshin nga shigjetat e ligjit të tërë simpatizantët dhe anëtarët.
Më kujtohet ashpërsia dhe nervoziteti i Kryeministrit të atëhershëm dhe Presidentit të sotëm në janarin e vitit 2001, në një takim për problemet e Shëndetësisë në të cilën morën pjesë përfaqësuesit më në zë të Shëndetësisë së asaj kohe si Prof. Sabit Brokaj. Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Leonard Solis, përfshi dhe figura të shquara nga PD si Prof. Maksim Cikuli, Prof. Mentor Petrela, e plot të tjerë, në një nga rastet kur mu dha fjala mua, i ngrita dy probleme, një të QSU Tiranës, e cila nuk kishte skaner CT, por i bënin tek privatët, pacientët e sëmurë, Kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti i sotëm, i u hakërrye Leonard Solisit duke e ofenduar dhe duke i kërkuar që brenda muajit shtator të vendosej skaner CT në QSUT.
Solis u kruspullos dhe më pa mua duke më bërë me gjeste; Ç`më bëre more Pirro… Në rastin e dytë i kujtova Kryeministrit të atëhershëm dhe Presidentit të sotëm për të krijuar një Universitet Mjekësor, duke i dhënë dhe një skicë dhe argumentet se përse duhej një universitet i tillë. Në këtë rast, ai me gjithë mirësjellje ju drejtuar Prof. Mentorit, i cili vetëm tundi kokën pa thënë se duhet apo nuk duhet, por Kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti i sotëm nuk e publikoi takimin as arsyet pse nuk e publikoi një takim me elitën e shëndetësisë, dhe kjo mbeti pak enigmatike. Shumë shpejt u vunë re në lëvizjet që u bënë më vonë me blerjet e skanerëve CT dhe pajisjeve të tjera duke anashkaluar ndoshta dhe Solisin e padëmshëm dhe të urtë.
Sa për Universitetin Mjekësor, atributet e propozimit tim i mori qeverisja “Berisha”, e cila e vuri në punë duke krijuar Universitetin Mjekësor.
Duke i anashkaluar akuzat që rëndojnë mbi Presidentin e sotëm për korrupsion, akuza të cilat gëlojnë kundër tij qoftë me ato të Dritan Priftit të ndjerë, akuza nga të cilat doli i pafajshëm si ajo barsoleta e katundarit qejfli, që fjeti një natë i dehur me gruan dhe me motrën e gruas, dhe në gjyq tha se.. nuk mbante mend se ç`kishte bërë atë natë…, po përqendrohem tek përpjekjet e tij për të qëndruar në krye të elitës politike të Shqipërisë pavarësisht se me çfarë aleancash do të kishte të bënte në të ardhmen.
I gjithë synimi mesa shihet më logjikën e fakteve, ishte qëndrimi në majë me çdo kusht për të ruajtur ato që kishte fituar padrejtësisht, dhe këtë Presidenti i sotëm ja ka arritur qëllimit deri në ditët e sotme, derisa arriti tek dita kur takoi hundë-leshin.
Hundëleshin e kishte takuar dhe përpara dhe e njihte mirë por Hundëleshi na paska ruajtur disa `kapje` pa ja treguar mikut të tij që tashmë nuk është mik i askujt, në mënyrë që t`i kishte për rastin final. Rasti final po vjen. Duke patur një karrierë plot luftë si i ri nga fshati që ishte, do të ecte përpara, e tejkaloi pak me vrullin e tij si i majtë ne Poliçanin e vitit 1992, dhe duke qenë deputet i ri i asaj kohe, u gjend në vazhdën e sulmeve armiqësore të PD sidomos të zv/Kryeministrit të atëhershëm B. Kopliku, i cili e akuzoi fort. U desh ndërhyrja e Berishës, e cila e shpëtoi djaloshin nga Skrapari, që ishte deputet dhe një nga pjesëmarrësit e lëvizjes studentore të asaj kohe që ndryshoi sistemin.
Dhe këtu lindi miqësia e vjetër me Berishën, miqësi të cilës i shërbeu dhe u shërbye bujarisht ashtu si shpërblehet punonjësi për punë besnikërie. Pasi përfitoi nga Nano drejtimin e FRESSH së bashku me Majkon, mbajti qëndrim asnjanës madje me pikëpyetje kur Nano përfundoi në burg dhe në përplasjet e ’97-’98, Presidentit të sotëm nuk iu dëgjua zëri, mesa duket ishte underground ose po bënte gjëra të tjera. Kur PS mori pushtetin me zgjedhjet e ’97, smira dhe dëshira për karshillëk e çuan përpara aq më tepër kur për një farë kohe në `99, miku por dhe kundërshtari i tij në FRSSH u bë Kryeministër dhe lindi idea ashtu sikundër u lind burrave kur nxiten edhe nga gratë (të cilat janë siç thuhet `qafa` dhe burri `koka`), por edhe nga miku i vjetër drejtues i opozitës së atëhershme i futi xixat. Dihet që Nano liberali nuk e kish qejf fare punën, por se ishte një zagorjot i zgjuar. Ai e nuhati dëshirën, karakterin e tij kokëfortë, cinik dhe dinak, e bëri zv/ Kryeministër dhe pak më vonë edhe Kryeministër. Dihet që këto veprime të Nanos kishin një farë kuptimi për ata që kanë jetuar në atë kohë.
Opozita e Berishës gjithmonë e ka akuzuar PS si komuniste dhe me plot sigurimsa. Kështu që Nano u detyrua të vendosë në krye të vendit të rinj nga FRSSH, duke lehtësuar presionin e Berishës, por pa dashje duke i bërë një dëm të madh vendit sepse largoi nga drejtimi profesionistët dhe meritokratët e vuri militantët, katundarët dhe amatorët. Po këtë veprim bëri dhe Berisha më pas, duke e vazhduar dëmin social- ekonomik- arsimor-shëndetësor- dhe kudo pas 2005. Shembulli më skandaloz i gabimeve politike të Berishës ishte largimi i ministrit Cikuli dhe vendosja e një injoranti si Nard Ndoka, gjë që i shkaktoi dhe po shkakton dëme të pallogaritshme në sistemin shëndetësor. Por sidoqoftë gafën e parë (të detyruar) e shkaktoi Nano, me vendosjen si Kryeministër të Pandeli Majkos dhe pastaj i detyruar, edhe të Ilir Metës, të dy pa libreza pune dhe pa eksperienca- duke lënë me gisht në gojë profesionistët, meritokratët, të përkushtuarit.
Ky është një nga shkaqet e tjera të rëndësishme të largimit të njerëzve që kishin kushte relativisht të mira në Shqipëri, por se u larguan ashtu të zhgënjyer dhe të papërfillur. Këtë tragji-komedi e vazhdoi vetë Presidenti, i cili në atë kohë ishte Kryeministër, duke dëmtuar rëndë administratën me largimet nga puna, por dhe më vonë kur LSI mori pjesë në zgjedhje dhe luftoi për pushtet herë më PD e herë me PS, një nga karakteristikat e saj ishte: mungesa e idealeve dhe rendja pas Trinomit Pushet-Para (-Seks) duke afruar të rinjtë rreth asaj partie me motive aspak normale dhe kishin si objektiv real këto parulla underground, si: `ejani t`ju gjejmë punë`, `ejani t`ju bëjmë deputetë, drejtorë, ministra, shefa` etj., duke harruar se partitë elektorale edhe në kapitalizëm kanë një farë skrupulli kur bëjnë programe elektorale.
Kjo gjë u bë leitmotiv edhe i PD kur ishte LSI në koalicion me PD, por edhe kur ishte në koalicion me PS, duke shkaktuar një rrëmujë të madhe në shoqërinë shqiptare, duke bërë paligjshmërinë- ligjshmëri, dis-informimin si informim, dhe korrupsionin- si mënyrë e re e të pasuruarit në mënyrë të ligjshme (në këtë paligjshmëri absolute).
Shqipëria i ngjante Shqipërisë së firmave piramidale, por pa luftën `të gjithë kundër të gjithëve me armë` por me një mjet tjetër -`pandëshkueshmërinë` ndaj shkelësve të ligjit. Ndarja nga PS shkaktoi dramën përfundimtare të LSI dhe të Presidentit të sotëm të majmur nga e kaluara e zhurmshme dhe plot surpriza të këndshme për të qoftë se është i vetmi që për një 20 vjeçar ka përfituar (për mendimin tim në mënyrë të pamerituar) të gjitha postet e mundshme: zv. Kryetar i PS, Kryetar i FRSSH, zv. Kryeministër dy herë, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe President. Përplasja me hundëleshin që e kishte dikur shok, i shkaktoi shumë kokëçarje, sidoqoftë, hundëleshi e ndihmoi të bëhej President, sigurisht me prapaqëllimin që t’i shkatërronte LSI, duke ndjekur metodën e Enver Hoxhës, i cili para se t’i largonte nga pushteti dhe ti vriste , – i rriste në detyrë kundërshtarët. Por hundëleshi ynë është qytetar i vërtetë. Ai nuk vret, por zbaton ligjin.
Në rrëmujën e përplasjes PS-PD. Presidenti ynë mbajti anën e gabuar duke u dalë ndesh edhe ndërkombëtarëve, dhe mesa duket i detyruar nga miqësia me mikun e vjetër i cili e kishte shpëtuar dy herë nga burgu, duke parë se Kryetari i ri i PD ndoqi verbërisht urdhërat e dhëna me ngut nga Plaku Mere, në mënyrë idiote, dogji mandatet e deputetëve të partisë së tij duke ja futur vetes aq bukur sa dhe vetë socialistët nuk e mendonin.
Për të ndrequr budallallëkun, Presidenti ynë i nderuar bën gafën e fundit: ç`dekreton` zgjedhje që i kishte dekretuar vetë që në dhjetor-janar të 2019, duke shkelur rëndë kushtetutën (edhe pasi e kishte shkelur dhe herë të tjera, por një Presidenti të tillë të nderuar i janë falur disa herë shumë shkelje ligji, mendohej se do ti faleshin përherë shkeljet e ligjit). Kjo zgjoi tek hundëleshi ynë ndjenjën ruajtjes së ligjeve të Kushtetutës, dhe shumë shpejt, por me të drejtë, ka organizuar shkarkimin e tij.
Krijimi i këtij precedenti negativ ndaj Presidentit tonë ka shkaktuar gëzim tek populli, i cili është nuk se e pëlqen më këtë President, i cili nuk e përfaqëson më popullin e tij por vetëm partinë e tij tashmë të shkatërruar por të drejtuar nga e shoqja, në një konflikt të pastër interesi.
Sidoqoftë, ç`dekretimi i ka hapur telashe të mëdha PS, por ndihma e ndërkombëtarëve ka qenë kësaj rradhe e saktë në përkrahje të PS dhe në dëm të Presidentit. Aq sa sot u hap përsëri kutia e Pandorës me bëmat e kaluara të Presidentit, sepse e kaluara të ndjek pas si hije – nuk e largon dot. Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz ka dalë hapur kundër deklaratës së presidentit Meta, duke thënë se parlamenti aktual është legjitim. Në një intervistë për DW, Schütz shprehet se parlamenti i ri i formuar me deputetë të rinj, pas djegies në bllok të mandateve nga PD dhe LSI-së është krejtësisht legjitimin, ashtu si kurse edhe kjo qeveri (https://shqiptarja.com/lajm/gjermania-kunder-metes-parlamenti-legjitim-t…). Si dhe doli në horizont dosja nr. 978 ku Meta i kërkonte Ismailajt 200.000 euro.
Manovrat e një Presidenti në agoni janë si manovrat e një që po mbytet i cili kërkon fijen kashtës për të shpëtuar. Por kujdes: i mbyturi të mbyt. Mazhoranca e përkrahur nga BE dhe SHBA ka një Parlament legjitim dhe një qeveri legjitime që po punon dhe po përgatitet për zgjedhjet e 30 qershorit. Përkrahja e Perëndimorëve qeverisjes së “Ramës” do të jetë deri në fund, deri sa vetingu i frikshëm do të shpartallojë të `pandëshkuarit`.