Gjithnjë ka ngrënë e ha debat kredoja morale e atyre që kapën armët në Kosovë e më tej në trojet e tjera, por sidomos në Maqedoni, nën siglën luftarake e liridashëse, UÇK
Kjo për shkak se krerët e tyre respektivë, në kushte lirie shfaqën e po shfaqin defiçenca të mëdha, pikërisht të sferës morale, nën drejtimin e shtetit.
Dhe debati këtu mund të zgjerohet akoma dhe më tej nëse shtrohet pyetja se cila ka qenë baza e tyre ideologjike. Sepse të njëjtat simptoma kaloi dhe Shqipëria.
Heroizmi i luftës, nga ata që ideologjikisht ishin të majtë, u konvertua në kushte lirie me regjime vrastare. Sot, nga ish-elitat e UÇK-ve kjo nuk mund të ndodhë, pasi konteksti ideologjik që prodhoi diktatura nuk është më, por që problemet shfaqen në një prizëm tjetër; te zvetënimi moral e dështimet e llojeve të tjera.
Një përgjigje për këtë e jep ish-lideri i ndjerë boshnjak Alija Izetbegoviç, personaliteti politik më intelektual deri në nivel akademik që ka patur Ballkani që pas Luftës së Dytë Botërore.
Në kujtimet e tij të burgut në ish-Jugosllavi, aty mes viteve ’70 – ’80, ai rrëfen për takimin me shqiptarët e rënë aty për arsye politike, porsi ai vetë.
“Në burgun e Foçës kishte shumë shqiptarë të dënuar për pjesëmarrjen në lëvizjën e rezistencës kundër regjimit serb që e kishte suprimuar autonominë e Kosovës. Ishim shokë të mirë me shqiptarët, por nuk jemi përzier shumë.
Shqiptarët ishin të qetë, konspirativë, tepër seriozë. Kohë pas kohe bënin eksese dhe greva. Kërkonin të lexonin literaturë marksiste, që marksistët e tjerë, shefat e burgut, nuk e lejonin. Drejtoria kishte punësuar një polic shqiptar, i cili, mes të tjerash, luante rolin e censorit të literaturës ‘irredentiste’”.
Dhe është pikërisht ky tipar ideologjik i tyre i theksuar nga Izetbegoviçi, që sot mund të shpjegojë një dramë morale te ajo pjesë e udhëheqësisë së dalë nga UÇK-ja, ku pos paaftësisë për themeluar standarte të larta shtetbërje, apo parime shoqërore, shfaqet tek ata dhe një linjë e “pashpjegueshme” anti-fetare.
“Religjioni është tejkaluar dhe nuk i nevojitet popullit tonë në luftën për liri”.
“Vetëm marksizmi dhe leninizmi i ka sjellë përparim popullit tonë”, janë disa nga frazat e tyre që Izetbegoviçi i veçon nga një bisedë me ta në burg, ku befasohet me afetarizmin e shfaqur.
Dhe sipas një linjë determinante, kanë qenë pikërisht këta që më pas themeluan grupimet e armatosura për të mbërritur deri te UÇK-të. Por duhet theksuar se jo e gjithë strukturat e tyre kishin njerëz me inspirim të majtë, më saktë marksist – leninist. Por së paku ato që trashëguan pushtet pas lënies së armëve, e që qartazi e kanë djallosur në laps (pra në stil qeverisjeje), të tillë duket se kanë qenë.