Policia ka arrestuar një 45 vjeçare një ditë më parë, e cila quhet Merita T., pasi rezulton e dënuar me burg nga Apeli i Tiranës.
“Dje, u ndalua shtetësia në kërkim M.T., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’”, njoftoi zyrtarisht Policia.
Ajo u arrestua fillimisht në 9 nëntor të vitit 2015, pasi rreth orës 4 të asaj pasdite, plagosi me thikë Elvira Ç., në rrugën “Fabrika e Qelqit”, në Kombinat
Në 2016-ën, 45-vjeçarja u dënua me 3 vjet heqje lirie nga gjykata e Tiranës. Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Një vit më vonë, Apeli i zbuti dënimin me 12 muaj.
Konflikti mes Merita T. dhe Elvira Ç. ndodhi për shkaqe banale, thuhej asokohe në njoftimin e policisë, që pasqyronte ngjarjen.
Referuar hetimeve të Prokurorisë së Tiranës: konflikti mes dy femrave është shënuar në rrugën para banesës së të pandehurës, në zonën e Kombinatit.
Fillimisht, ato janë konfliktuar me fjalë me njëra-tjetrën dhe më pas, Merita ka kaluar në veprime fizike, duke e qëlluar me një mjet të mprehtë tjetrën. Në deklarimet e saj para oficerëve të Policisë Gjyqësore, 45-vjeçarja ka pohuar se ditën e ngjarjes ajo po përgatiste drekën, kur para shtëpisë së saj ka kaluar e dëmtuara, e cila e kishte ofenduar me fjalë të ulëta, si k… e të tjera.
Sipas Merita T., siç ishte me një thikë në dorë me të cilën po qëronte patate, ka dalë te dera e banesës dhe e ka pyetur se përse e shqetësonte. Referuar deklarimit të 45-vjeçares, e dëmtuara ka vijuar ta fyejë me të njëjtat shprehje. Në këtë moment, ajo i është afruar dhe e ka qëlluar me thikë në krahë. Më tej, ka rrëfyer se konfliktin me Elvira Ç. e kishte që prej vitit 1997 dhe se për vite me radhë ofendohej e ngacmohej prej saj.