Nga një koment i radios publike gjermane Deutschlandfunk
Ajo që po ndodh në Gaza është e vështirë të përshkruhet me fjalë: më shumë se 50 mijë të vdekur, mijëra të plagosur, të pastrehë, të gjymtuar. Fëmijë pa prindër, familje të tëra të fshira nga faqja e dheut, lagje të tëra të shkatërruara.
Spitale, shkolla, ndërtesa të OKB-së, universitete: të shkatërruara, të zbrazura, të çaktivizuara nga ushtria izraelite. Edhe gazetarët dhe gazetaret vazhdojnë të jenë objekte sulmi.
Uria në Gaza është aq e rëndë, sa sipas të dhënave të OKB-së, fëmijët po vdesin nga mungesa e ushqimit. Organizatat humanitare po alarmojnë. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron: rezervat ushqimore mund të mbarojnë krejtësisht së shpejti.
Gjithnjë e më shumë eksperte dhe ekspertë të OKB-së e quajnë atë që po ndodh në Gaza një gjenocid – Amnesty International, Human Rights Watch, Mjekët pa Kufij dhe ECCHR e ndajnë këtë vlerësim – ose të paktën shohin shenja të qarta për këtë.
Një ngjarje veçanërisht tronditëse ndodhi më 23 mars, kur 14 punonjës palestinezë të ndihmës së shpejtë dhe një punonjës i OKB-së u vranë nga ushtria izraelite pranë qytetit Rafah.
Një video e regjistruar nga celulari i njërit prej sanitareve të vrarë tregon se automjetet e ndihmës ishin qartësisht të dallueshme dhe në lëvizje me drita blu.
Sapo mbërritën në vendngjarje, ushtarë izraelitë hapën zjarr të pandërprerë ndaj ekipeve të ndihmës. Vetëm një javë më vonë u zbuluan kufomat dhe automjetet e mbuluara, në një varr masiv të gjetur nga një ekip kërkimi i OKB-së.
Fillimisht, ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar ndaj “terroristëve”. Pas publikimit të videos, u njoftua se incidenti do të “hetohej në mënyrë të thelluar”.
Që të mos ketë asnjë dyshim të rremë: çfarë po përshkruhet këtu janë qartazi krime lufte. Dhe këto nuk janë raste të izoluara.
Që vitin e kaluar, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së arriti në përfundimin se shumë prej sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës civile në Gaza duhen konsideruar si krime lufte.