Autobusi i skuadrës së Skënderbeut në volejboll për vajza është aksidentuar dhe ka përfunduar jashtë rruge në aksin për nga Qafa e Thanës në drejtim të Përrenjasit. Tre nga volejbollistet kanë përfunduar në urgjencën e spitalit të Përrenjasit me dëmtime.
Vajzat korçare udhëtonin drejt kryeqytetit ku sot në orën 17:00 në sallën sportive të Farkës ishte planifikuar sfida e dytë mes Tiranës dhe Skënderbeut. Duket se dueli në parket vjen në plan të dytë dhe ai do shtyhet për një tjetër datë, pasi disa nga volejbollistet kanë pësuar lëndime dhe janë frikësuar, duke mos qenë në gjendje për aktivitetin sportiv. Tre nga volejbollistet që u dërguan në spital kanë lëndime në gju, në shpatull dhe në hundë.
Në foto duket qartë se pas përplasjes në rrugë, autobusi i skuadrës së Skënderbeut është dëmtuar dhe ka përfunduar jashtë karrexhatës. Për fat nuk ka asnjë lëndim serioz për volejbollistet dhe stafin.
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pritet të japë një konfirmim zyrtar për shtyrjen ose riorganizimin e ndeshjes.