Shkrimtarët dhe artistët…”, publikon relacionin sekret të të vitit 1977 të sekretarit të Partisë të Tiranës, Simon Stefani, për Komitetin Qëndror, lidhur me 67 artistët e aktorët me “biografi të keqe” që duheshin larguar sa më parë nga institucione artistike të kryeqytetit dhe Ministria e Arsim-Kulturës…?!
Raporti sekret: “Sheri Mita dhe Ferial Alibali janë hequr. Nga aktorë janë problem Roza Anagnosti, Ilia Shyti dhe Robert Ndrenika, për të cilët organizata bazë u porosit të deçizojë për largimin e tyre duke përcaktuar rrugët dhe afatet konkrete. Ndrek Shkjezi që përfshihet në studimin e organizatë-bazë në fundin e vitit del në pension. Për këtë institucion mbetet problem dhe qënia e 6 vetave me lidhje gjinie (burrë grua)”.
Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një relacion me siglën “sekret” i vitit 1977, ku sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën, Simon Stefani, informon Sektorin e Kuadrit pranë Komitetit Qëndror të PPSH-së, që mbulohej nga teknikisht nga Mihal Bisha,(detyrë funksionale e kishte Hysni Kapo), lidhur me “Zbatimin e detyrave të lëna nga ekipi i Komitetit Qëndror, për problemet e kuadrit në Ministrinë e Arsimit e Kulturës, Teatrit Operas e Baletit dhe Teatrin Popullor”.
Apo thënë më saktë, ky relacion i bërë nga sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës që mbulonte problemet e artit, kulturës dhe propagandës, Simon Stefani, (i sapo zgjedhur ato vite dhe si anëtar i Byrosë Politike të K.Q të PPSH-së), i njohur ndryshe si njëri nga njerzit më dogmatikë të udhëheqjes së lartë, kishte të bënte me largimin e artistëve dhe aktorëve me “probleme biografike”, që kishin disa nga instutucionet kryesore artistike të Tiranës. Siç ishin; Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Popullor, apo dhe vetë Ministria e Arsim-Kulturës e asaj kohe. Dhe siç do të shikojmë dhe nga dokumenti në fjalë, numri i tyre arrinte në plot 67 veta, ku 28 ishin nga Ministria e Arsim-Kulturës, 14 nga Teatri Popullor dhe 25 nga ai i Operas e Baletit.
Kjo periudhë kohe (1975-1977), koinçidon e përkon me dënimin e gjithë krerëve të Ministrisë së Arsim Kulturës, duke filluar nga ministri, Thoma Deljana dhe zv/ ministrat, Mantho Bala, Hasan Duma, etj kuadro të lartë të atij dikasteri, ku një pjesë përfunduan burgjeve e internimeve të regjimit komunist, ndërsa të tjerët u dërguan në punë krahu në prodhim, apo dhe barinj delesh, si ministri, Thoma Deljana në një fshat të Tepelenës?! Dhe kësaj “fushate spastrimi” i kishte paraprirë dënimi i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor liberal në art e kulturë”, me në krye Todi Lubonjën e Fadil Paçramin. Në këto kontekst dhe atmosferë kohe të goditjes që po bënte udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe vetë Enver Hoxha personalisht, ndaj njerëzve të artit e kultures, bën fjalë dhe ky dokument arkivor, ku kërkohej “spastrimi” i plot 67 artistëve, aktorëve e njerëzve të tjerë që kishin lidhje me artin e kulturën.
Dhe “sëpata” e luftës së klasave do të binte fillimisht tek ata artistë dhe aktorë që kishin “probleme biografike”, më të mëdha se të tjerët, si Bujar Lako, Bujar Kapexhiu, Sheri Mita, Ferial Alibali që ishin hequr dhe dërguar në prodhim. Për të vazhduar më tej me aktorë të tjerë të mëdhenj të skenës dhe ekranit, si: Robert Ndrenika e Ilia Shyti, (që siç kemi parë dhe në dokumente të tjera në faqet e këtij libri, kishin vëllezërit të arratisur nga Shqipëria), apo aktorja e talentuar me origjinë mirditore, Roza Xhuxha (Anagnosti), për të cilët kërkohej urgjent largimi i tyre nga Teatri. Edhe pse falë edhe talentit të tyre dhe pjesëve teatrale apo filmave ku ato kishin interpretuar deri në atë kohë, ata nuk u hoqën, por ishin dhe mbetën një problem i madh për udhëheqjen, deri në shëmbjen e regjimit komunist.