Intervista/ Aktori Niko kanxheri në një rrëfim të rrallë 360 gradë vetëm për Albanian Free Press, mbi fëmijërinë, vitet në Institutin e Arteve, njohjen me bashkëshorten, jetën e vështirë në Tiranë, punën në Radiotelevizion, rolet e spikatura dhe krenarinë për fëmijët.
Pata ngurim kur vendosa të intervistoj aktorin Niko Kanxheri. Më ka transmetuar gjithmonë hijen e një personaliteti të fortë. Në të gjitha rastet kur kisha pasur bashkëpunim në Akademinë e Arteve por edhe më parë, kisha ngulitur në kujtesë qëndrimin e tij të vetmuar ose me pak njerëz.
Gjithmonë shumë i rezervuar, i drejtpërdrejtë në mendimet e tija, por me një humor djegës. Nuk di nëse ka portret skenik ti ngjajë Niko Kanxherit, rolet në film kanë qenë të gjitha shumë karakterialë dhe fizionomia shumë specifike
. I përket “shkollës korçare” të aktorëve të njohur dhe është shumë korçar edhe në koloritin e fjalorit. Niko Kanxheri pranoi të linte mënjanë jetën shumë të tërhequr me bashkëshorten e miq të paktë, e të jepte një panoramë të gjerë si rrallë më parë.
Ju jeni nga Korça? Më tregoni diçka për rrënjët tuaja…
Në të vërtetë kam lindur në Tiranë dhe i pari që më ka bërë të qaj, ishte mjeku i vetëm italian i cili kishte mbetur në maternitetin e Tiranës. Mamaja më thoshte shpesh me humor, se fjala e parë që kisha dëgjuar në këtë botë, ka qenë italisht. Jam bir i dy prindërve korçarë, prej pesë brezash.
Babai punonte teknik në Radio-Tiranën e vjetër. Nëna në postë. Pas tre vjetësh, babait i propozuan të ishte drejtor i antenave në Kashar ku ishte dhe një vilë e vjetër, në të cilën mund të jetonim, por ai nuk pranoi dhe duke qenë se për fat edhe në Korçë kishte radiostacion, u vendosëm aty. Si gjak e si rrënjë, unë jam korçar, denbabaden.
Si nisi rrugëtimi juaj drejt aktrimit?
Kam pëlqyer shumë letërsinë. Në gjimnaz isha nxënësi më i mirë në letërsi dhe jo vetëm. Për fat të mirë, mësuesja ime kishte mbaruar studimet për letërsi në Lion të Francës, për letërsinë perëndimore. Quhej Dhimitra Maliqari.
Ishte një grua që ulej gjithmonë në bankën time dhe më mësoi të jem i lirë. Ishte letërsia e cila më çoi tek shfaqjet që organizonte shkolla. Shkruaja tregime të shkurtra dhe poezi. Kam pasur dy fletore të trasha me fletë të verdha, plot me poezi dhe tregime.
I keni ruajtur ato?
Jo. Në një çast dobësie i kam djegur. I rilexova, bëra kritikun e rreptë të vetes dhe i dogja. Nuk e di pse, sikur më erdhi zor që duke i lexuar, po ripërtypja rininë time.
Po më pas, si rrodhën ngjarjet?
Në ato vite, ishte Pirro Mani, regjisor i Teatrit të Korçës, i cili ishte i atashuar pranë gjimnazit tonë për të organizuar “shfaqjet e miqësisë”, siç quheshin. Isha një djalë tepër i shkathët, vajzat e shkollës thoshin “të bjerë shi që të mbyllet Kanxheri brenda”, por fatmirësisht edhe studioja, isha nxënës i shkëlqyer. Ditën që erdhën fletët për dëshirat mbi studimet, unë kisha ide të qarta. Ishin tre variante dhe unë shkrova A. Moisiu tre herë.
Një ditë isha në shtëpi dhe po rregulloja slitën e dimrit, se kishte shumë borë atëherë, e shoh që hyjnë brenda 8 persona me drejtorin në krye. Mua më kapi paniku se kisha bërë ca zarare në shkollë, dhe mendova se ishin për ato e do përjashtohesha nga të gjitha shkollat e republikës. Kur dëgjoj zërin e mamasë që më fton në dhomë. Mësuese Dhimitra Maliqari më tundi letrën që kisha plotësuar e më thotë: “Çfarë është kjo, ti do shkosh të bëhesh karagjoz?”
U qetësova njëherë që nuk kishin ardhur për të më dënuar. Hidhet edhe profesori i frëngjishtes: “Ky shkruan tregime në frëngjisht, letërsi bëhet dhe në frëngjisht, ç’thua Dhimtra! Niko duhet të studiojë për frëngjisht!” Vazhdon profesori i biologjisë edhe ai me dëshirën e tij, që të studioja biologji.
Mamaja nuk donte të bëhesha aktor, por babai ishte vërtet demokrat në shpirt, në sjellje, në marrëdhënie me ne. Cilësi që fëmija i kupton vonë. Ai iu drejtua drejtorit: “O Zini dhe ju të tjerët! Unë djalit nuk ia prish! Tani grua, qerasi këta njerëz.” Ja si rrodhi ngjarja që konkurrova dhe fitova të drejtën e studimeve për aktrim dhe them me bindje se kam bërë vërtetë shkollë. Në juri ka qenë Sandër Prosi, Mihallaq Luarasi, Prokop Mima, Drita Agolli, gati trembëdhjetë vetë.
Kishit emocione, ndrojtje përpara tyre?
Kujtoj një ndodhi të atyre ditëve. Unë u përgatita me Dhimitër Orgockën për provimin. Por isha ca naiv, jo i ditur. Ndoqa ujërat e tij dhe më mbeti pa punuar me të një poezi, “Kjo grua që bie erë çokollatë” nga Dritëro Agolli. Kjo poezi më pas u ndalua. E lashë këtë poezi për në fund, doja t’i shpëtoja. Por vura re se juria ishte tepër serioze.
Më pyetën a kisha ndonjë material tjetër dhe u thashë se kisha edhe poezinë. Unë poezinë e interpretova siç dija unë dhe meqënëse kisha Drita Agollin përballë, i drejtohesha asaj. Poezia fillon me vargjet “kjo grua që binte erë çokollatë, dikur me mua bënte dashuri”… dhe vazhdonte me vargjet e tjera.
Në fund ka një varg “jeton e lumtur atje me burrin flokërënë? Nuk e di!” Miho Gjini që ishte asistent, mendoi se harrova vargjet, por Mihallaq Luarasi i cili e njihte poezinë, tha: “Ore, korçar, bravo!” Mendoj se ky ishte materiali për të cilin u pranova në Institutin e Arteve, ku më karakterizonin si shumë punëtor, por të heshtur, të mbyllur e të hekurt.
Si arritët ta mundnit këtë mbyllje?
Ishte si një brengë në shpirt, por një ditë vendosa të pija ca dopio fërnet me ponç, tërë natën në një lokal të Tiranës, dhe shkova në orën katër në “mjeshtëri aktori” i turbulluar. Ngjitem në skenë e papritur shoh shpinën e Drita Agollit, i hodha duart në qafë dhe i them në vesh: “Jue taime” e ca fjalë të tjera në frëngjisht dhe ajo u tremb si fillim, pastaj qeshi e më tha: “O zot, sa i mirë që je”. Aty filloi dhe hapja ime.
Ju pas studimeve, filluat punën në Radio Televizionin Shqiptar. Pse jo në vajtët në Korçë?
Ne ishim katër aktorë nga Korça që prisnim të shkonim në Korçë, ishim të bindur për këtë. Isha unë, Llazi Sërbo, Petrika Riza dhe Minella Borova. Papritur mësova se emërohesha në Radio Televizionin Shqiptar. As sot nuk e di pse. Fillova punë në radio ku punova pesë vite e më pas bëra një kurs specializimi për regji filmi dhe me një skenar të Vullnet Musarait, realizova filmin “Goditja”.
Kalova kështu në redaksinë e filmit në televizion ku u mora me tërë llojet e emisioneve, serialeve, portretet e artistëve etj. Më është ngulitur një kujtim me Vaçe Zelën. Shkova të bëja një portret të saj filmik, e ajo vuri dorën tek goja dhe tha: “Aman, çfarë thoni. A ka turp më të madh se sa të flasësh për veten?”. Në vitin 1987, i lodhur nga shërbimet, trastat, autobusët kalova si pedagog në Akademinë e Arteve ku isha disa vite edhe shef Katedre e nga ku dola dhe në pension.
Ishte “Malet me blerim mbuluar” filmi juaj i parë?
Qerim Mata, asistent në Kinostudio, më gjeti një ditë te shkallët e Pallatit të Kulturës. Më fton të bëj një kinoprovë. Unë u tremba nga përgjegjësia, ndoshta, e në fillim nuk desha. Më dha një copë letër në dorë, ishte një dialog që do të bëja në kinoprovë të cilën e mora duke u dridhur.
Në kinoprovë nuk shkova fare, por për inerci u interesova se ç’dreq ishte ky italiani, Domeniko, personazhi im. Lexova ç’kishte shkruar Petro Marko mbi këtë temë, Ismail Kadarenë. Por m’u kujtuan edhe kujtimet e mamasë e cila duke qenë nga Borova, më tregonte dramën e madhe të italianëve kur hynë gjermanët në Borovë.
Të shkatërruar, ata lypnin bukë dhe arritën deri të ushqeheshin me ekskrementet e tyre, që të mbijetonin. Të nesërmen, Qerim Mata më tregon dublat e dhjetëra aktorëve të rinj nga e gjithë Shqipëria, mbi këtë rol. “Hë, për kë je ti nga këta. Unë e kam njohur vetë Domenikon, italianin. Ti je si ai.”
Mban mend ndonjë detaj mbi rolin?
Eh! Na doli problemi i pulave që duhet të rrinin afër meje. U them atyre të trupës së xhirimit të ikin e të vijnë nga dreka. Të zotit të shtëpisë, ku xhirohej filmi, i kërkova pak grurë, se vrava mendjen se si ariu i cirkut sillej vërdallë, nga sallami që i jepnin. Ai më solli kapelën e tij mbushur me grurë të cilin fillova t’ua hedh pulave të cilat u mësuan me mua, e mu ngjitën në supe e në kokë.
Edhe sot i ndjej çukitjet e tyre mbi kokë. Ja, kështu u realizua ai rol që më hapi rrugën për projektet e tjera. Nuk kam lakmuar asnjëherë të dukem! Ndoshta më ka ndihmuar fakti se kam gjurmuar personazhe që nuk ishin me partishmëri të lartë, me heroizma. I kam shijuar siç desha rolet!
Nuk patët peng që ishin shumë filma e shumë pak teatër?
E kisha këtë brengë, por që ma shleu roli i Lakes tek “Duke pritur Godonë” në vitin 1991. Kur m’u propozuar ai rol, m’u krijua avull përpara, u mbusha me bulëza djerse e më lindi menjëherë ndjesia e mohimit. Ishte frikë sepse ishte peshë e rëndë ajo pjesë, por që pati shumë sukses.
Nga rolet dramatikë në komedi. Si u ndjetë tek “Çifti i lumtur”?
Në fakt nuk isha shumë i prirur drejt komedisë, por Pirro Milkani ishte natyrë e butë e më bindi. Në kinoprovë bëra pjesën ku me shkrepëse i ndez cigaren vjehrrit të ardhshëm. Aty dogja dorën nga shkrepësja dhe bërtita. Dëgjoj Tinka Kurtin që shpërthen në gaz. “Ja, e shikon që je edhe për komedi?”- më tha Pirro dhe kështu u ndërtua ai rol i cili në fakt, është edhe sot shumë popullor.
Por roli ku ju keni goditur më fort, është tek filmi “Vdekja e Kalit”…
Është një rol shumë i dashur për mua. Por ai film nuk do të kishte atë fund të dhimbshëm e të goditur që ka. Në skenarin e Nexhati Tafës, Agroni vjen vërdallë në një shesh bosh të Tiranës dhe kjo u xhirua. Të nesërmen, unë gjej në kafe Saimir Kumbaron, shok kursi dhe regjisor i filmit.
Kisha trurin dhe shpirtin e mbushur. “Saimir, çu bë ai Agroni, ku u zhduk ai? Po ai maskarai ku u zhduk ai?- i thashë atij. “Aman, o Niko, se nuk do fillojmë me xhirimet prapë tani!” – më përgjigjet normalisht, i lodhur nga xhirimet. “Epo unë nuk jam dakord”- ia pres me nerv. Ndër të tjera, gjatë debatit, më thotë: “Jo, po ta bëjmë deputet tani atë maskarain”. “Pse, jo!”- dhe ngrihem e largohem.
Në darkë më bie telefoni. Ishte Saimir Kumbaro të cilit mesa duket i qe ndezur drita në kokë. “Niko, ke kostum të errët? Bëhu gati, nesër ke tërë ditën xhirim. Do japësh intervistë si deputet, do shkosh të marrësh bileta në agjenci udhëtimi, do bërtasësh liri demokraci në një tufë njerëzish e do takohesh rastësisht me Agronin në shkallët e universitetit.”
Ja, kjo skenë ndryshoi filmin e aty kuptova që Saimir Kumbaro ishte tamam regjisor, ai reflektoi. Unë kam bërë shumë filma, por atë më të tmerrshmin personazh, ma kujtojnë të gjithë.
Në morinë e tërë kësaj jete, mes RTSH-së dhe filmave, ku e njohe shoqen e jetës?
E njoha në Tiranë. Sebep apo ndihmës u bë një shok që ishte nga e njëjta zonë e Korçës nga është ime shoqe. Erdhi një moment që vendosa të mblidhesha dhe isha mbi të tridhjetat. Thjesht e vendosa të mos isha më pa vatrën time. Doja një grua nga vendi im.
Kisha shumë mundësi të vija gishtin kudo në Tiranë, por unë preferova ta kisha nga rrënjët e mia. Pas mbarimit të shkollës, nusen time të ardhshme e kishin emëruar në Lozhanë të Korçës. Sajoj një shërbim për aty. Në kokën time e kisha vendosur, pasi kisha pyetur shumë për të dhe familjen e saj.
Kur mbërritëm i them shoferit: “E shikon atë bionden aty? Që po luan volejboll me shoqet? Ja për atë kemi ardhur”. Ca ditë më vonë mora lejen e zakonshme që jo vetëm ta bisedoja me të afërmit e saj, por që të martohem menjëherë, duke hasur në befasinë e palës tjetër.
Ne më pas kemi jetuar në një dhomë 3 me 3, me kushte të tmerrshme, për disa vite. Në këtë dhomë, pjesë e një apartamenti për beqarët, ku jetonim më parë me disa djem nga RTSH-ja, lindi djali im, i cili flinte në një shtrat të sajuar me dy karrige. Unë dhe ime shoqe flinim në një krevat tek, si letrat e bixhozit. Imë më, si grua e fortë që ishte, kur pa si jetonim, më shau shumë e mori djalin dhe gruan disa muaj në Korçë.
Pra, keni nisur familjen me shumë vështirësi…
Fatmirësisht, Vali, ime shoqe, filloi punë në poliklinikën 9-të, por ishim keq për shtëpi! Unë punova si vullnetar në disa pallate, i zhytur në baltë deri në mes, por shtëpi nuk më jepnin, sepse u jepeshin anëtarëve të partisë.
Një ditë mora guximin e hyra në mbledhjen e partisë dhe shpërtheva: “Niko Kanxherit do t’i jepet shtëpi pas vdekjes!” Kisha maraz, kisha dhimbje. Por pas shumë peripecish, m’u dha shtëpi dhe nga gëzimi, më kujtohet, më ra të fikët. Ja, këto ishin sakrificat.
Por sakrifica që u shpërblyen. Ju sot keni dy fëmijë të mrekullueshëm…
Fëmijët e mi jetojnë në Itali, në Peruxha, prej vitesh. Aty janë shkolluar dhe aty kanë ndërtuar jetën. Djali, Ogert, ka shkuar i pari, pasi fitoi bursë. Aty pati dhe ndihmën e motrës së sime shoqeje dhe bashkëshortit të saj italian, Brunos, një zotëri me plot kuptimin e fjalës.
Sot ai është një djalë i mençur dhe i pjekur, martuar më një bashkëshorte fisnike nga Durrësi, Klodianën, e të dy bashkë, më kanë bërë të lumtur duke më bërë gjysh. Kam një mbeskë të bukur, quhet Dea, që është pika e dobët e gjyshit. Vajza, Keida, sapo ka mbyllur me sukses doktoraturën në Itali, ku edhe punon, në një fushë shumë të vështirë të inxhinierisë elektronike.
Është specializuar dhe në Angli në fushën e saj. Ndihem krenar, që sa herë shkojmë për vizitë pranë saj në Itali, dëgjoj fjalë shumë vlerësuese nga kolegët, miqtë dhe profesorët e saj italianë. Kjo mjafton që një prind të ndihet krenar dhe i qetë. Uroj shumë të ketë fat! I kemi rritur me dashuri e qytetari.
Kanë pasur dhe dashurinë e prindërve tanë, sepse janë rritur shumë mirë, me përkujdesje, shpeshherë edhe në Korçë. Por siç e them shpesh me humor, që në momentin kur u larguan, unë kam bërë “divorc” me fëmijët. Dua të them që i kam lënë të lirë të ndërtojnë jetën e tyre. Ka gjasa të kem marrë diçka nga demokracia shpirtërore e tim ati. Uroj të jetë kështu!