Aktorja e njohur, Ema Andrea ka folur për divorcin nga ish-bashkëshorti shumë vite më parë. E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ajo ka treguar se divorci nuk është i lehtë për asnjë grua. Aktorja ka zbuluar se ka pasur shumë vështirësi, ku padyshim përfshihet dhe ana ekonomike.
Megjithatë, ajo ka gjetur forcën për të ecur përpara mban te arti, veçanërisht te teatri.
“Nuk është e lehtë për një grua t’ia dali vetëm. Divorci nuk është i lehtë për askënd. Pastaj, divorci në ato vite, artiste… Besoj ka pasur vështirësi të tjera, natyrisht fusim këtu dhe anën ekonomike.
Nuk është vetëm paragjykimi, duhet të rinis çdo gjë nga e para, të paktën kështu vendosa unë. Kam nisur çdo gjë nga e para dhe në një shoqëri paragjykuese, ku dyert të mbyllen dhe për motive të moralit të shpikur se kësaj shoqërisë sonë i mungojnë disa parime dhe disa morale të të drejtave të njeriut, u bë shumë e vështirë.
Por unë jam kapur fort pas dashurisë së familjes. Për mua tani më është bërë si e natyrshme, që vështirësitë i marr si sfida që duhen kaluar, si një prag që duhet kaluar, ndaj nuk dorëzohem, ma ka mësuar jeta këtë gjë natyrisht.
Duket dhe shembulli i mamit të ma ketë vënë këtë gjë, që të më vijë e natyrshme dhe natyrisht mbas teatrit, mbas artit në përgjithësi. Ajo që shpesh nuk kuptoj ndonjëherë kur vëzhgoj shfaqet apo ecuritë, aktrimin e disa kolegëve, se si nuk kuptojnë që sa liri është skena.
Për mua, skena është liri, ka qene shpëtim dhe vazhdon të jetë shpëtim. Sublimitetin e të shprehurit të asaj, që nuk do ta pranoje kurrë me veten, ta jep skena, por në të njëjtën kohë është dhe sakrificë e madhe se ti këtë e ndan, e lë për gjykim dhe pse fshehur mbas rolit apo pas regjisë me një audiencë të madhe dhe do kurajo, por në momentin që e ke arritur këtë kontakt, të paktën kjo është eksperienca ime, e vërtetuar dhe nga rrugëtimi ku kam lexuar jetë kolegësh, është si një liri, pasuri e madhe. Ndaj për mua të dalurit në skenë nuk do të jetë kurrë punë. Është një proces rritje në raport me veten, në të cilin përfshihet pasioni, fryma, liria”, rrëfeu aktorja.
Gjatë rrëfimit të saj në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, aktorja e njohur, Ema Andrea ka deklaruar se në jetë ka bërë vetëm kompromise të vogla. Ajo ka theksuar se fakti që nuk ka pranuar të bëjë kompromise të mëdha e ka dëmtuar karrierën e saj.
Ema ka thënë se fakti që nuk ka pranuar të jetë banale, i ka kushtuar shumë, por në fund ka zgjedhur të jetë e lirë.
“Në jetë kam bërë kompromise të vogla. Mosbërja e kompromiseve të mëdha, mua ma ka dëmtuar karrierën. Mospranimi i të qenit pjesë e banalitetit, apo aty ku thyeshin parimet, edhe pse mua në karrierën time do të më interesonte, kjo më ka kushtuar. Nëse do të flasim për sasi rolesh. E para, ka rëndësi cilësia, e dyta liria ime, sepse jam përpjekur të mos i bëj kompromis shpirtit.
Liria e shpirtit që unë do të doja gjithmonë ta pasqyroja, si për shembull, liria për të thënë atë që mendoj. Nuk mund ta kesh lirinë për të thënë atë që mendon, nëse i ke bërë kompromiset e mëdha që janë prishur parimet. E ke të lidhur gjuhën, sepse e ke lidhur vetë gjuhën. Edhe unë për hir të kësaj lirie, nuk i kam bërë kompromiset e mëdha, nuk i kam bërë për veten. Ndonjëherë, kur shpiken këta heronjtë, heroinat, sepse sot mundet që secili të flasi, duke harruar se çfarë kanë bërë”, u shpreh aktorja.
Ema Andrea është ndalur edhe te raporti me vajzën e saj.
Ajo ka rrëfyer se me Sarën i është dashur të bëjë rolin dhe të nënës dhe të babait. Ema ka theksuar se ngjajnë jashtëzakonisht shumë me njëra-tjetrën. Si çdo prind, ajo është munduar të jap më të mirën për vajzën e saj, por që në anën ekonomike nuk ia ka dal.
“Në çdo vendim që unë kam marrë, që kanë qene të vështira, unë kam menduar dy herë. Besoj se kështu mendon çdo prind dhe uroj që kështu të mendoj çdo prind. Sepse natyrisht, unë Sarës kam arritur t’i dhuroj një rehati në këtë periudhë, ku ajo filloi jetën e vetë dhe do kisha dashur ta kishte nisur më lehtë nga ana financiare.
Unë këtë nuk arrita t’ia jap, por të paktën nuk do të ketë nevojë të uli kokën në asnjë moment të jetës së vetë, sepse është bija ime apo për rrugëtimin që jam përpjekur t’i mësoj. Absolutisht jam aty dhe do të jem, sa të kem frymë dhe jetë. Më ngjan 99%, është e ndjeshme, punëtore shumë, pasionante, artiste, e lëshon veten në atë që ndjen, beson, kalon në ekstremin tjetër si kundër e ëma. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, e humbet besimin, njëjtë si unë, jeton mes ekstremesh, por ndryshe nga unë që kam pasur atë motiv në moshën e saj, Sara nuk e ka, plus që kohët janë krejtësisht të tjera.
Unë vërtetë do kisha dashur të kisha shumë fëmijë, të paktën 2 a 3. Nuk i jam trembur kurrë, faktit që do jetë më e lodhshme fizikisht, asnjëherë. Por natyrisht zgjedhjet nuk mund të jenë egoiste për të sjellë në jetë një fëmijë, nuk mund të bëhen vetmitare, por nuk ka rëndësi Sara është një botë e madhe.
Në rastin tim me Sarën meqënëse mua më është dashur të jem dhe figura e babait, atë që kuptohet tradicionalisht dhe që fizikisht është ajo figura e fortë, që merr vendime, që organizon, qoftë dhe këto punët rutinë të të rregulluarit që nga trapani dhe makina. Unë këto i kam bërë vetë. Edhe ashpërsia që baballarët bëjnë ndonjëherë me shoqërinë dhe që unë e kam treguar. Po, më është dashur ndonjëherë të bëj ndonjëherë rolin e prindit që thotë: ‘Shiko, se jam unë këtu’”, rrëfeu Ema.