Institucionet e Drejtësisë nisën punën jo me kapacitet të plotë, por për çështje të gjykuara si “urgjent”. Ndër politikanët që kanë dosje në gjykim janë ish-ministri Saimir Tahiri dhe lideri demokrat Lulzim Basha.
Sot ka qenë dita e seancës gjyqësore për Lulzim Bashën. Por Gjykata e Apelit në Tiranë ka kërkuar kohë për t’u njohur me dosjen dhe e ka shtyrë për në 14 maj seancën gjyqësore.
Apeli do të shqyrtojë ankimin e Prokurorisë mbi vendimin, ndërsa trupa gjykuese përbëhet nga Shpresa Becaj, Alaudin Malaj, Shkëlqim Mustafa.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku që i dha pafajësi Bashës dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani si dhe shefit të financës së këtij subjekti Ilir Dervishi.
Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzat ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit për falsifikim formularësh pasi nuk ekzistojnë prova. Në 41 faqe vendim të gjykatës së Tiranës thuhej se nuk ekziston fakti penal.