Partia Demokratike ditën e djeshme ka paditur në Prokurorinë e Posaçme mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, që ndryshuan vulën dhe logon e partisë.
PD kallëzoi deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi po ashtu dhe Ivi Kaso e Ervin Minarolli për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal. Në kallëzim thuhet se këta demokratë kanë pasur funksione në parti dhe e dinë shumë mirë sesi funksionon rregullorja e statutit.
Sipas PD, këta persona e kanë kryer këtë vepër penale për të realizuar qëllimet e tyre, duke qenë në dijeni të pasojave ligjore që do të kenë.
“Këta janë persona që kanë patur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore”, thuhet në kallëzim.
Reagon Komisioni i Rithemelimit të PD
Pasi PD kallëzoi në SPAK mbështetësit e ish-kryeministrit për falsifikimin e vulës dhe formularëve, ka ardhur një reagim nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Në reagim thuhet se akte të tilla nga ana e kreut demokrat Lulzim Bashës tregojnë qartë se lidershipi ka prekur fundin moral dhe politik.
Sipas komisionit, marrëveshjet e fshehta mes Bashës dhe Ramës me vula dhe brava është i pashpresë. “Pengu i Edi Ramës vendosi që me këshillën dhe mbështetjen e pengmarrësit të tij, të padisë sot në SPAK vullnetin e mijëra demokrateve të shprehur masivisht kundër tij, si asnjëherë më parë në historinë e Partisë Demokratike! Akte të tilla tregojnë se ish lidershipi i PD-së ka prekur fundin e tij politik dhe moral.
Lulzim Basha ka humbur zgjedhjet, ka humbur qytetarët, ka humbur demokratët, ka humbur delegatët, ka humbur strukturat dhe vetë Partinë Demokratike, por i gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret dhe marrëveshjet e fshehta me Edi Ramën me vula dhe brava! Është i pashpresë”, thuhet në reagim. Po ashtu Komisioni i Rithemelimit shprehet se kohët kur kauzat e qytetarëve sakrifikoheshin për pazaret e Bashës me Ramën.
Sipas tyre, Kuvendi e ka miratuar logon e re të PD në bazë të simbolit të 11 dhjetorit 1990 teksa shtuan se këto simbole nuk mund të humbasin për veprime korruptive që duan ta shkatërrojnë partinë. “Koha kur kauzat e qytetarëve dhe sakrificat e demokratëve blatoheshin si kurban në altarin e pazareve të tij me Edi Ramën ka marrë fund më dt 11.12.2021! Shqipëria nuk meriton dhe nuk do të ketë kurrë më një opozite dhe pluralizëm fasadë!
Kuvendi Kombëtar, si forumi më i lartë i partisë, ka miratuar vulën dhe logon e re të Partisë Demokratike, e cila në vetvete mbart simbolet e 11 dhjetorit 1990. Këto simbole mbajnë historinë, djersën dhe gjakun e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar deri në akte sublime për vlerat e lirisë, fjalës dhe konservatorizmit. Këto vlera nuk humbën, por u rikthyen më të fuqishme. Aq më pak do mundet t’i zhbëjë drejtësia e kontrolluar nga Rama, i cili tashmë është rreshtuar fort dhe zellshëm në krah të atyre që me veprime korruptive tentuan të çojnë drejt shkatërrimit PD-në”, thuhet në reagim.