Komisioni i Medias mban sot seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH.
Akuzat për paligjshmëri të procesit dhe të një gare jo transparente përfshiu këtë proces, pasi Këshilli Drejtues skualifikoi kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret. Si rrallëherë, edhe opozita edhe mazhoranca janë në një linjë në lidhje me parregullsitë që ndoqën këtë proces dhe kërkuan transparencë.
Ky proces po ndiqet me vëmendje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Pak ditë më parë OSBE e BE bënë thirrje për transparencë dhe deklaruan se do të ndjekin me vëmendje seancën e sotme dëgjimore në Komisionin e Medias.
Dhjetë kandidatë aplikuan në garë për postin e Drejtorit të RTSH në fazën e aplikimit që u mbyll më 20 janar. Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi më 27 janar 2025 me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.
Gjatë votimit u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
Pas reagimeve të shumta të organizatave mediatike por dhe maxhorancës e opozitës më 30 janar Këshilli Drejtues i RTSH-së, pezulloi garën për zgjedhjen e Drejtorit të ri të RTSH-së, deri pas seancës dëgjimore në Komisionin për Mediat që do të mbahet sot.
Bungo:Të shkrihet këshilli drejtues
Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin si të paligjshëm dhe paralajmëroi ankimin e tij në organet e drejtësisë.
“Ishte një vendim i paligjshëm,” tha Bungo pak ditë më parë.
“Janë shkelur kriteret e përcaktuara në ligj, duke skualifikuar nga gara gazetarë dhe duke lënë në garë një kandidate si Aurora Polo, e cila është inxhiniere me profesion,” shtoi ai për Birn.
Sipas Bungos, ngërçi i krijuar mund të zgjidhet vetëm me ‘shkrirjen e këshillit drejtues të RTSH-së’.
Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri nisi 6 muaj pasi dha dorëheqjen drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza, zgjedhja e të cilit gjithashtu u kontestua për shkak të karrierës së tij të gjatë politike pranë Partisë Socialiste.
Peza u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën. Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti me një formulë ku dy partitë kryesore përzgjedhin kandidatët e tyre të preferuar.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH
1-Leka Bungo- Kryetar
2-Gëzim Podgorica- zv.kryetar
3-Genc Përmeti- anëtar
4-Mevlan Shanaj- anëtar
5-Ilir Keko- anëtar
6-Ardita Reçi- anëtar
7-Milena Selimi- anëtar
8-Engjëll Ndocaj- anëtar
9-Edmond Tullumani- anëtar
10-Dionis Papadhimitri- anëtar
11-Albert Minga- anëtar
Kandidatët në garë për drejtor të RTSH, dhe votimi i 27 janarit 2025
1- Harilla Koçi – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
2- Jetmir Shpuza 7 vota pro, 2 vota kundër;
3- Enrik Mehmeti – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
4- Floriana Paskali – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
5- Eni Vasili 4 vota pro, 5 vota kundër;
6- Ermal Hoxha 3 vota pro, 6 vota kundër
7- Aurora Polo 7 vota pro, 2 vota kundër
8- Kliton Rama – 4 vota pro, 5 vota kundër
9- Flamur Buçрарај – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit
10- Laureta Roshi – U skualifikua për mangësi në dosjet e aplikimit