Gjykata ka marrë vendimin ndaj kunatit dhe shoferit të Rezart Taçit që akuzohen për pastrim parash në shumën e 18 milion eurove. Artur Balla dhe Bledar Lilo janë të akuzuar nga SPAK për pastrim parash dhe në kuadër të grupit kriminal do qëndrojnë në burg të paktën deri në përfundim të hetimeve. Për këtë çështje vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtat akuza biznesmeni Taçi, pasi edhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit me burg në mungesë.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës së SPAK, përpara togave të zeza të Apelit, Lilo, ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar lirim të menjëheshëm, duke pretenduar se nuk ka lidhje me akuzat, pasi është vetëm shofer. Ndërsa kunati i biznesmenit Rezart Taçi, ka kërkuar masë më të butë sigurie, si ajo e arrestit shtëpiak.
Sipas SPAK, “Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro”.
SPAK bën të ditur se janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga disa shtetas italian në bashkëpunim edhe me Rezart Tacin, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Hetimi i nisur nga SPAK dhe në bashkëpunim me Antimafian italiane ka zbardhur të gjithë skemën e pastrimit të parave të grupit kriminal Cosa Nostrën në bashkëpunim me 4 shtetas italianë. Sipas mediave italiane Francesco Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, i dyshuar si ortak i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino, përfundoi në arrest shtëpiak me akuzat për pastrim parash në kuadër të një hetimi nga Prokuroria e Palermos dhe SPAK.
Gjithashtu është arrestuar edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati të Palermos, kontabilist me banim në Milano, dyshohet se e ka ndihmuar për të zhdukur 19 milionë euro nga konfiskimi, të cilat janë zhvendosur në një llogari bankare në Tiranë. Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummo dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare dhe Daniele Castagalli, të hetuar nga prokuroria e Napolit si pjesë e një hetimi tjetër.