Reforma zgjedhore që do të miratohet në shtator do të eliminojë të gjitha partitë e vogla. Shumë prej tyre do mund të ekzistojnë si emra, por shanset që të marrin një mandat deputeti apo këshilltari bashkiak do jenë minimale. Komisioni i reformës zgjedhore kur drejtohej nga Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi, doli me një draft final, i cili ka hyrë në axhendën e Parlamentit. Në shtator ky draft do kalojë sërish në komisionin e ri, i cili tani drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, por sipas burimeve të gazetës, nenet aktuale nuk do preken.
E vetmja gjë që do mund të diskutohet është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Por ky kod që është hartuar nga njerëzit e Bashës dhe Ramës, duket se do u japë një goditje të fortë partive të vogla. Kjo gjë është kuptuar nga partitë e opozitës, të cilat rrezikojnë zhdukjen për shkak se nuk kanë më asnjë përfaqësues në pushtetin vendor. LSI, PR dhe PAA po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor, pikërisht nga frika se mund të dëmtohen nga braktisja e 30 qershorit dhe reforma zgjedhore që po afron. Por si do i eliminojë të vegjlit reforma zgjedhore? Për të parën herë është futur koncepti i depolitizimit të komisioneve zgjedhore, por dhe rrudhja e anëtarëve. Përpara zgjedhjeve, KQZ do hapë thirrjen për vende vakante në postin e zyrtarëve zgjedhorë. Të drejtë të aplikojnë kanë së pari personat që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, por dhe personat që plotësojnë kushtet: të zotërojnë gjuhën shqipe, të jenë në kushte shëndetësore që i lejojnë të kryejnë detyrën, të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil dhe të kenë mbaruar arsimin e lartë ose të jenë duke e kryer atë. Pas kësaj faze KQZ zgjedh një numër të caktuar individësh, që sipas saj plotësojnë kushtet.
Ata më pas do të ndahen nëpër qendrat e votimit, njësitë e numërimit apo ato të administrimit zgjedhor. Sipas ligjit, Njësia e Administrimit të Votimit do ketë 3 anëtarë. Ata do zgjidhen me short nga KQZ mes listës së zyrtarëve zgjedhorë. Njësia e Votimit do ketë 2 anëtarë, po që do zgjidhen me short nga KQZ. Ndërsa Njësia e Administrimit Zgjedhor do përbëhet nga 6 anëtarë dhe 2 sekretarë. Këtu kanë të drejtë partitë të propozojnë anëtarë nga lista e zyrtarëve zgjedhorë. PS ka të drejtë të propozojë 3, PD 2 dhe 1 partia e dytë opozitare. Ndërsa sekretarët i zgjedh KQZ. Të 8 emrat do zgjidhen jashtë politike. Depolitizimi i komisioneve është një hap shumë i rëndësishëm, pasi synimi është që të kemi një rezultat të drejtë në zgjedhje. Pyetja që shtrohet është se sa e lehtë është të zbatohet në vendin tonë? Nëse i shohim me radhë komponentët, emrat prioritarë për të qenë zyrtarë zgjedhorë janë nëpunësit civil. Sot personat që i përkasin kësaj kategorie, shumica janë të PS dhe PD. Të gjithë e mbajnë mend vitin 2013, ku Berisha detyroi Ramën që të votonte ndryshimet e ligjit për nëpunësin civil. Me këtë lëvizje Berisha i hoqi të drejtën PS që të shkarkonte shumë njerëz të tij në administratë. Ata sot janë ende në detyrë. Vetë PS po ashtu ka 5 vite në pushtet dhe ka futur në shërbim civil shumë emra. Edhe LSI futi, por së fundmi është treguar se të gjithë janë bashkuar me PS. Pra, që këtu del që dominojnë PS dhe PD. Komponenti tjetër është KQZ. Do jetë ky organ që do filtrojë kandidatët dhe aty sërish dominojnë PD dhe PS, ndërkohë që PDIU, PR, PBDJ dhe parti të tjera dalin jashtë loje. Nga ana tjetër historia ka treguar se gjithë skandalet zgjedhore ndodhin gjatë numërimit dhe aty është futur koncepti i 2 komisionerëve. Pra sido që të ndodhë, si PS, dhe PD nuk do ja lënë në dorë numërimin një personi çfarëdo. Momentalisht PR, PDIU dhe partitë të tjera kanë pasur përfaqësues në komisione, por tani nuk do e kenë këtë shans. Nga gjithë këto ndryshime duket qartë se më të fituara janë PD dhe PS. Edhe pse PD ka nisur një luftë me PS, ndryshimet në kod tregojnë qarët se favorizojnë dy partitë e mëdha, ndërsa të voglat marrin tatëpjetën. Ndryshimet në kod janë bërë me konsensus dhe Rama-Basha duket se do i spastrojnë “të vegjlit”./Kliti Topalli