Meqë kapriçot e Sali Berishës nuk kanë asnjëherë fund, meqë shumë shqiptarë kanë vendosur përfundimisht të mos merren më me të, na bie ne t’i kujtojmë Shtetit se kështu ndodh kur toleranca e ligjit përkëdhel pa fund një njeri, ndërsa dara e shtetit shtrëngon këdo që “zgjerohet”, me përjashtim të Atij.
Alba Malltezi:
Sali Berisha dëshiron ta bëjë protestën e tij aty ku do ai. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk ka shtet, polici, që ja mbush mendjen, sepse ai është Sali Berisha dhe në Shqipëri, çuditërisht, ai mund të bëjë çdo gjë, përtej njerëzve, ligjit, vendit dhe kohës.
Eshtë absurde, se ka institucione, individë që kërkojnë edhe ta kënaqin, edhe t’i shkojnë pas fijes: “Po si thua? A të pëlqen Sheshi Skëndërbej? Eshtë i bukur. Është i gjerë. Është i rehatshëm”.
Por ai jo, nuk “ha logjikë”, edhe pse është dita e Samitit që mbledh për herë të parë në historinë tonë të trazuar (edhe për shkak të tij) liderët më të rëndësishëm të Europës. Pra, atë ditë në Shqipëri ka miq, mysafirë dhe siç është mikpritja e shqiptarit: bën më të mirën e tij. Të gjithë, por jo Sali Berisha dhe të tijët.
Në shqip kemi një shprehje për ata “që nuk duan të zbresin nga kali”: “Lëre se kush merret me të…” ose “Hapi rrugë…”. Në të vërtetë shumë shqiptarë, shumica, kanë kohë që nuk merren me të. Përveç ligjit dhe shtetit. Të dy e kanë për detyrë të merren me të: me kapriçot e tij dhjetëra vjeçare, me shkeljet e ligjit, me përvetësimet, me gjuhën e dhunës, me gjuhën e shpifjes, me manipulimet, me kërcënimet.
Nëse ligji dhe Shteti do të merrej me të, nuk ja vlente të merreshim më as ne, që i dimë dhe i kemi ndjerë pasojat e hakmarrjes së tij dhe të njerëzve pranë tij.
Dhe tolero e tolero, hap rrugë e hap rrugë, lerë të godasë, lëre të shajë, lëre të marrë me forcë, lëre të djegë, tani kërkon të sfidojë këdo dhe kurdo: Nuk dimë nëse është për të qeshur apo për të qarë një situatë e tillë. Por në vend që të shijojmë një event të rrallë, në vend që kushdo të përqendrohet që mikpritja shqiptare të jetë në lartësinë dhe shkëlqimin më të mirë, sërish duhet të merren media e të tërë nëse Saliu do të marshojë apo jo në Bulevard, aty dhe ashtu siç dëshiron ai. Sigurisht, i pajisur, sipas zakonit edhe me shtizë.
a.m./Shqiptarja.com