Botuesi i gazetës “Dita” bën publike një letër private që i ka nisur në qeli kryebashkiakut të Tiranës.
“Më mirë kështu, sesa të na i botojnë më pas ‘me interpretim’ portalet”. Kështu shkruan ndër të tjera Alban Dabulla.
Letra e plotë:
Lal,
Ka kohë që dua të të shkruaj disa rreshta, por nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Uroj të jesh mirë me shëndet, fizikisht dhe mendërisht.
E lexova letrën që më kishe dërguar. Kanë qenë kohë të ngarkuara këto, për ty më shumë. Edhe për të gjithë ne, njerëzit më të afërt. Veçanërisht dy muajt e fundit. Mungesa jote fizike ka lënë boshllëk që nuk mbushet dot, as për djalin dhe Ajolën, as për nënë Ipen, Arbin e të gjithë të tjerët me radhë.
Janë kaq shumë ata që më pyesin për shëndetin tënd e më kujtojnë grimca të vëmendjes dhe dashurisë që u ke dhënë. Në fund të ditës mbetet një përzierje e bukur emocionesh dhe nostalgjie nga të gjithë.
Të pamundur miqtë dhe shokët ashtu si dhe unë për të komunikuar me ty, ndaj të shkruaj këtu dhe për ta.
Vëllai të bie, thotë populli, shokun e zgjedh. Zgjedhja provohet nga vitet e gjata dhe tallazet që kalohen bashkë. Ky vendi ynë i vogël, siç dhe ta kam thënë shpesh, është i shtypur nën peshën e mungesave me qindra vjet. Kjo peshë, e cila i ka krisur kockat në palcë si haraç i një krenarie gjenetike, na ka bërë dhe disi të varfër në gjykim e tolerancë.
Kështu duhen mirëkuptuar të gjithë, edhe ata që urrejnë pa shkak. Duhen mirëkuptuar, se në të kundërt infektohesh e bëhesh si ata. Kur jeta t’i sjell përballë, më mirë të jesh viktimë e tyre se të bësh viktima si ata. Më beso, pesha në shpinën e tyre në darkë është më e madhe se pesha në qepallat tona të përgjumura.
Të përfytyroj në atë dhomën tënde të vogël, mendoj sa të vështirë e ka një njeri si ti, me mijëra kilometra të ecura në ditë, të rrijë mbyllur vetëm dhe me një pyetje çekan: “Çfarë ndodhi?”
Dy fjalë-pyetje që therrin sa një jetë. Ndodh, lal, të gjendesh në udhëkryq në këtë jetë, por dallojmë pikërisht se çfarë rruge zgjedhim. Ti e ke pasur dhe e ke forcën dhe mençurinë të zgjedhësh atë të duhurën.
Padyshim, ky është udhëkryqi më i vështirë i jetës tënde. Duhet maturi, duhet edhe shumë durim. Ne që të njohim, e dimë që do t’ia dalësh. E vërteta, sado ta fshehim e ta zhysim thellë, pluskon, do dalë në sipërfaqe.
Më kujtohet 21 Janari. Ishim aty të gjithë nën shiun e plumbave të këtij lehësit të përhershëm, që nuk më vjen t’i përmend as emrin. Mban mend gazin lotsjellës që na mbyste sytë e mushkëritë? I mban mend gratë e të rinjtë? Po të moshuarit? Stoikë, pa u lëvizur qerpiku, teksa shokët në krah këputeshin përtokë. Nuk lëvizëm, qëndruam aty. E drejta u mbrojt. Me gjak dhe me lotë, por u mbrojt.
Më kujtohen ditët e vështira të zgjedhjeve për Tiranën në 2011. U zgjuam më 8 maj në orën 6 të mëngjesit dhe u shtrimë më 15 maj në orën 1 të mëngjesit. Me shtetin represiv në kurriz, me atë ministrin e brendshëm që kishte vrarë njerëz aty përballë. E mban mend atë lloj force vullneti dhe përkushtimi? I mban mend llërët e atij tipit të KQZ-së, tek shqyente kutitë e votimit e sërish nuk i zhbëri dot ato 10 votat, simbol të qëndresës sonë për të vërtetën?
Bashkia u grabit, por e vërteta ishte aty, në tryezën e tyre kur hanin e pinin me çifteli në dorë, e në shtratin ku shtriheshin pas gostisë mbi kutitë e shqyera të votimeve.
Aty ishim edhe në 2013, me të vërtetën me vete, e nuk pati plumb, gaz e grabitje votash që të na ndalonte. Ishim të gjithë bashkë, krah për krah ndaj ishim të pathyeshëm. Ashtu jemi edhe sot, pavarësisht tallazeve. Jemi ne, lal, që vendosim sa të fortë e mbajmë veten, rreshtat. Duke gjetur gjithmonë fuqinë të ngrihemi mbi interesat e ngushta personale, duke refuzuar cic-micet që çdo familje e madhe ka, duke u bërë bashkë në kohë të vështira, me forcën e së drejtës në krah.
Në këtë kohë, në udhëkryq nuk je vetëm ti dhe ne bashkë me ty, por edhe institucionet e reja të drejtësisë. E vërteta është sërish çelësi i së ardhmes. Mendoj se duhet kohë që të fillojë funksionimi normal i këtyre institucioneve. Proces që padyshim kalon me gabimet e veta. Dhe sërish, secili nga ne ka rol. Dikush më shumë, dikush më pak, jemi bërë të gjithë pjesë. Ti vetë je duke kontribuar në këtë ‘kolaudim’ të sistemit me burgun tënd mbi supe dhe vullnetin e duhur drejt së vërtetës tënde.
Koha është shpata më e mprehtë e së vërtetës. Jam i bindur që në fund të këtij makthi, ajo do jetë me ty, duke u bërë kështu një tjetër gur themeli në këtë ngrehinë të re. Kur të vijë koha do ua rrëfejmë fëmijëve tanë se sa mundim duhet për të ndërtuar një të ardhme bazuar në të drejtën dhe meritën.
Tirana vazhdon të rritet. Puna e bashkisë është prezente në çdo rrugë e rrugicë. Duket sikur edhe ajo pret të vërtetën. Jemi angazhuar këto ditë në fushatë, të gjithë. Më shumë se kur ti ke qenë në liri, sepse nuk ka vend për nënvlerësim. Është jetike që bota e errët e gënjeshtrës të marrë dhe këtë herë goditjen e duhur.
Ndihet mungesa jote, por njerëzit prej kësaj mungese janë më të motivuar, dhe besoj se në Tiranën ku duket gjithandej ndryshimi për të cilin njerëzit e mirë e të heshtur të janë mirënjohës, do kemi një rezultat spektakolar. Sidomos tani që jemi bërë të gjithë të famshëm pas publikimit të përgjimeve të tua “të tmerrshme.”
Kjo letër nuk është artikull gazete apo analizë. Unë nuk jam gazetar. Kam patur një jetë krejt tjetër. Por nuk ka nevojë të jesh gazetar për të kuptuar që kundër teje ka një mobilizim të pashembullt të ligësisë, një linçim publik të egër që nuk e kemi vënë re kurrë më parë as për ata që kanë lënë gjurmë të rënda gjaku në historinë tonë të pas 90-s. Edhe sikur fare hiç të mos ishe transformimi i Tiranës, askush nuk e meriton një kryqëzim të tillë. Nga asnjë këndvështrim njerëzor.
Unë vendosa të ta percjellë në gazetë këtë letër edhe pse kishte rreth meje miq e të njohur që thanë jo. Por mendova me mirë kursejmë kohë e energji të kujtdo për të na bërë publike më pas komunikimet tona private. Më mirë le t’i lexojnë njerëzit kështu ‘bruto’ se sa të përhapura më pas nëpër portale me “interpretime” nga kushedi çfarë skutash te errëta.
Kështu, lal, kurajo! Do ta kalojmë edhe këtë fazë, si çdo herë, bashkë.
Përqafime me mall nga të gjithë.
Miku yt, Albi