Albin Kurti ka apeluar te bashkatdhetarët që të investojnë në Bonot e Diasporës, pasi ky investim është për zhvillimin e shtetit që aq shumë e duan.
Kurti nëpërmjet një video ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë për të investuar në bonot e diasporës.
“Bonot e diasporës janë një mundësi e mirë për të kontribuar ju në ndërtimin e vendit dhe njëkohësisht të përfitoni nga një investim që është i garantuar nga shteti. Gjatës kohës sa e mbani investimin ju merrni interes që i liruar nga tatimi dhe pasi të përfundojë afati i investimit, shuma e investuar iu kthehet e plotë.
Pra mendojeni si një depozitë të afatizuar në bankë me dallimin e vetëm që kursimet nuk i shfrytëzon banka por shteti për zhvillimin e vendit. Fondet që i investoni në bonot e diasporës hynë në buxhetin e shtetit dhe me ato fonde ne do të mbështesim prodhuesit vendor për të rritur kapacitetet e prodhimeve”, ka thënë Kurti, në një video drejtuar diasporës.
Afati i fundit për t’u regjistruar në bonot e diasporës është deri më 18 gusht. /Telegrafi/