Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon një shumicë më të gjerë sesa minimumi formal kushtetues, në mënyrë që të shmanget rreziku i zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kurti theksoi se prania dhe vota e çdo deputeti është vendimtare për procesin. Sipas tij, edhe një mungesë e vetme mund ta rrëzojë votimin dhe ta çojë vendin automatikisht në zgjedhje.
“Nuk mund të shkojmë me 80 vetë në udhëtim e në fund të dalë 79, sepse menjëherë shkojmë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se objektivi i shumicës është të sigurohen rreth 84-85 vota, në mënyrë që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos varet nga mungesat eventuale të deputetëve.
Ai tha se komunikimet dhe takimet mes partive po vazhdojnë pikërisht për këtë arsye, duke e cilësuar shmangien e zgjedhjeve si “prioritet absolut”.
Megjithatë, Kurti nuk dha përgjigje konkrete lidhur me mundësinë e kandidimit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Sipas tij, diskutimet ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konstruktive, por ende nuk kanë prodhuar hapa konkretë, ndërsa theksoi se mundësitë për marrëveshje ekzistojnë dhe nuk është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje.
Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se deri tani nuk ka pasur figurë konsensuale ose marrëveshje politike për president të Kosovës, ndërsa komunikimi me partitë do të vazhdojë për të arritur një rezultat.
Ai ndër tjerash tha për mediat se LVV-ja ka mundësi të propozojë kandidatë për kryeministër, duke pasur 30 nënshkrime, përfshirë edhe ato të pakicave.
Kurti shtoi se edhe opozita mund të propozojë kandidatë dhe se Kushtetuta kërkon shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Ju e keni parasysh herën e kaluar me 56 deputetë u përpoqa të zgjedhem kryeministër për t’i arritur 61, nuk u bë e mundur, e tashmë nuk jemi vetëm 5 deputetë larg, jemi 14 që e bën situatën më të vështirë. Si LVV kemi mundësi ta nxjerrim një kandidat sepse i kemi 30 nënshkrime, bashkë edhe me pakicat, mund t’i nxjerrim edhe dy kanidadatë. Pra edhe opozita mund të nxjerr kandidatë. Kushtetua na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtet janë ideale që t’i kemi tre kandidatë, ndërkohë që nuk janë asnjë”, tha ai.
Kreu i qeverisë së Prishtinës tha se nuk ka konsensus për presidentin, duke shtuar se do të shihet se çfarë do ndodhë nesër e pasnesër.
“Unë do të vazhdoj të komunikoj, që edhe nesër edhe pasnesër të arrijmë tek rezultati. Deri më tani nuk ka diçka të re, figurë konsensuale as marrëveshje politike nuk kemi. Sidomos prej se nga PDK u tha se propozimi duhet të jetë partiak. Ngelet edhe nesër edhe pasnesër të shohim se çfarë mund të bëj”, tha Kurti.






