Nga Përparim Isufi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përballet me kritika të ashpra në vend pasi mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë duke mbështetur tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke votuar personalisht në zgjedhjet e së dielës.
Ashtu si mijëra kosovarë, Kurti ka shtetësi të dyfishtë si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, por vendimi i tij për të votuar të dielën në një shtet tjetër shkaktoi pakënaqësi.
“Kjo është e pashembullt për çdo vend dhe nuk duhet të ndodhë, aq më shumë këtu, me një kryeministër qytetarët e të cilit po humbin jetën çdo ditë për shkak të COVID-19, ndërkohë që ai merret me zgjedhjet e një shteti fqinj në një kohë kur nuk ka zgjidhur asnjë çështje elementare që i nevojitet Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Enver Hoxhaj, kryetari i përkohshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, të hënën në parlamentin e Kosovës.
Ai foli ndërsa Ministri i Shëndetësisë i Kurtit, Arben Vitia, u thirr të përgjigjej për hapat e fundit të ndërmarra për të siguruar vaksinat COVID-19.
Hoxhaj i bëri thirrje Kurtit të hedhë sytë nga vendet e tjera në rajon që po bëjnë më shumë progres në sigurimin e vaksinave, ndërsa Kosova deri më tani ka marrë vetëm 24,000 doza përmes programit global Covax. “Vetëm Kosova dhe Bosnja nuk kanë siguruar doza vaksinash”, vuri në dukje Hoxhaj.
Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike e Kosovës, LDK, gjithashtu e kritikoi Kurtin për votën e tij dhe angazhimin e mëparshëm në zgjedhjet në Shqipëri, duke mbështetur kandidatët e Vetëvendosjes që morën pjesë në zgjedhje si kandidatë të pavarur.
“Ky imazh tregon rëndësinë dhe përgjegjësinë që kjo qeveri i kushton pandemisë”, tha Abdixhiku.
“Çdo dy orë një qytetar i Kosovës vdes nga COVID-19. Unë nuk pres që ju të bëni mrekulli, por duhet ta kuptoni seriozitetin e situatës”, shtoi ai.
“Në një kohë kur çdo dy orë një qytetar në Kosovë vdes nga COVID, kryeministri ynë shpërndan fletëpalosje në Lezhë dhe Tiranë. Gjatë dy javëve, ai ka vizituar Shqipërinë katër herë dhe Klinikën Infektive të Kosovës asnjë herë”, vazhdoi ai.
Abdixhiku i bëri thirrje Kurtit që ta kthejë vëmendjen te Kosova, jo te Shqipëria.
“Një mijë pacientë të sëmurë nuk vlejnë sa një Bojken Abazi”, tha Abdixhiku duke iu referuar kandidatit kryesor të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri, i cili garoi për deputet në rrethin e Tiranës.
Projeksionet zgjedhore nuk u japin kandidatëve të mbështetur nga Vetëvendosje asnjë shans për të fituar vende në parlamentin e Shqipërisë.