Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se qeveria shqiptare ka krijuar një kompani publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të nisë punën shumë shpejt dhe do të kontrollojë e do të ndjek gjurmimin e naftës që futet në vendin tonë.
Gjurmimi i të gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit, për të zhdukur evazionin në këtë sektor, siç tha kryeministri, dhe ato që do të nxjerrë shteti nga goditja e këtij fenomeni do të shkojnë për pensionistët.
“Ne kemi krijuar një kompani të re publike, në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, me kompaninë e tyre të të njëjtit objektiv, e cila quhet AlbTreis. Ajo është një kompani publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji dhe së shpejti Albtreis do hyjë në treg me dy produktet veta të para, që kanë të bëjnë me gjurmimin dhe ndjekjen e naftës. Gjurmimi i të gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit dhe do ta çojë në një nivel tjetër atë që ishte gjurmimi me bojërat e mia. Se faktikisht nga të gjitha analizat e bëra përpara se ne të hidhnim këtë hap tjetër, rezultoi se ai ngjyruesi që ne përdornim për naftën, ishte më kollaj për t’u kthyer në ujë sesa bojërat që unë përdor për zhgarravinat e mia”, u shpreh Edi Rama.
Kryeministri sqaroi se ndjekja do të bëhet me teknologji, nga hyrja në port deri tek dalja në kufi, dhe të gjitha mjetet do të jenë në ekran në një vend ku do të hyjnë vetëm njerëz që do të kenë certifikatë sigurie.
Ai u tha grosistëve të karburanteve se ky inovacion do të ndihmonte edhe ata vetë, sepse do të nxjerri nga tregu duke luftuar evazionin, “fantazmat” e tregtimit të karburanteve pa licencë.
“Ky produkt i ri është absolutisht i pakapshëm nga asnjë sy tjetër, përveç nga syri magjik i prodhuesit, ndërsa ndjekja do të thotë se do të mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë tranzit dhe do ta ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj, që kur nisen për të kaluar kufirin kanë nga mbrapa doganierë që bashkëndosin ambientin duke shfrytëzuar edhe karburant të blerë nga buxheti i shteti. Ndjekja do të bëhet me teknologji që përsëri nuk e shef dot fare asnjë sy, sado i interesuar që të jetë, dhe nga hyrja në port deri tek dalja në kufi, të gjitha mjetet do të jenë në ekran në një vend ku do të hyjnë vetëm njerëz që do të kenë certifikatë sigurie. Këto të dyja do ju lehtësojnë edhe juve shumë punën, sepse do të shpëtoni nga konkurrentët e pandershëm që nuk janë mes jush, por janë fantazma; do na lehtësojë edhe neve nga evazioni që gojët e liga thonë është shumë i madh”, përmbylli kryeministri Edi Rama.





