Një tufë sorrash mediatike krra-krra-ritën dje për të komentuar apo ‘trembur’ Pëllumbin që do japë sot drejtësi.
Në burg apo jashtë tij do i presë Erion Veliaj kohët e hetimeve ndaj tij?
Juristët më të zellshëm anti-Veliaj e shkruajtën vendimin e sotëm sikur të ishin në tryezën “greke” të Olsi Banit. Në përgjithësi, të gjithë pranuan nën zë se Engert Pëllumbi është gjyqtar profesionist dhe me integritet, e që nuk intimidohet lehtë dhe kjo tregohet nga vendimet e dënimit të Saimir Tahirit dhe ai i detyrimit për paraqitje para SPAK të Sali Berishës.
Propaganda zyrtare demokratike lëshoi sirenën e “pagimit të miliona eurove” për blerjen e gjyqtarit. Zërat më dinakë pranë kësaj propagande moderuan qëndrimin duke “mburrur” cilësitë e gjyqtarit Pëllumbi dhe përkëdhelën aftësitë e tij, të cilat, ashtu si ato të Erion Banit, nuk do ta lironin Veliajn nga burgu.
Tallagjarë të zakonshëm vollën nëpër banaqe televizive versionin juridik që duhej të ndodhte: Kërkesa për burg “Dumani-Dado”, e pranuar nga vendimi “Bani”, afërmendsh që duhej të lihej e pandryshuar nga verdikti i Engert Pëllumbit.
Dëshira për burgosje ose nxjerrje nga qelia të Veliajt ka ndarë në dy kampe armiqësore tifozët dhe armiqtë e tij mediatikë.
Populli që nuk kupton procedura juridike bombardohet shpesh me leksione penale të “telandarëve” të drejtësisë së re, sidomos ata që betohen “Për kokën e SPAK”.
Kështu ndodhi edhe mbrëmë, teksa diskutohej juridikisht konflikti ndërmjet prokurorit Dado me Veliajn. Tallagjarët kanë organizuar një alibi për mbrojtjen e “pesanjosit”:
“…edhe po u largua Ols Dado nga hetimi i dosjes Veliaj, s’ka problem se mbetet Altin Dumani”.
Ka rëndësi që Veliaj të mbetet në burg por se çka bërë Dado me dosjen, bashkë me dy “qenushët” e BKH-së, punë e madhe fort. Ndonjë komshi te “Cirku”, i prokurorit “fajtor” e relativizon figurën e Dados më shumë se të tjerët.
Miqësia dhe fqinjësia e mirë është detyrim, ashtu si informimi i drejtë i publikut që dëgjon dhe do të kuptojë çfarë ndodh me drejtësinë, prokurorinë, gjykimin. Me prokurorët e Reformës në Drejtësi.
Nuk është hera e parë që tallagjarë mediatikë bëjnë avokatinë e SPAK; shumë më shpesh at paralajmërojnë me pamje teatrale “goditje” fatale të niveleve të larta – qeveri, bashki, polici…
Nuk mund të besohet që informacionet nga brenda SPAK, ata i marrin vetëm kur takohen rastësisht me komshinjtë, si prokuror Dado, teksa derdhin plehrat poshtë pallatit 2000 euro metri katror. Rrjedhjet e dosjeve në media dhe njoftimeve me emra, të goditjes në nivele të larta, janë kthyer në “pazar” special. Tallagjarët e mbrëmjeve dhe SPAK-istët, ca në TV dhe ca ngjitur me GJKKO, kanë arritur të pështjellojnë jo pak opinionin publik me veprimet dhe aktet e tyre.
Mbrëmë publiku dëgjoi të njëjtët llazore qëmbronin Dadon me por dhe pa lezet. Domethënë, nëse Ols Dado largohet nga hetimet për shkak të konfliktit që ka patur me kryetarin e bashkisë Erjon Veliaj, apo për shkakun se i “pëlliti” atij disa here me urrejtje sikur të ishte në stallë e jo në sallë gjyqi, s’ka asnjë problem – vazhdon Dumani! Ky është qëndrimi “afërmendsh” që po përpiqen t’i përcjellin tallagjarët, opinionit publik, për prokurorin që kishte grumbulluar një mal me “brekë” dhe prova, kundër Veliajt, i cili duhet të qëndrojë patjetër në burg.
Por gjyqtari Engert Pëllumbi sido që të vendosi sot, do jetë largmendsh këtij qëndrimi palaçosh mediatik e juridik. Ai nuk i ka studiuar Falkonen dhe Bushetën e Italisë, që mos t’i njohë këta të Shqipërisë. Mos lodhen tallagjarët kot; gjyqtari Pëllumbi është njeri dhe jurist kompetent, aq sa të lexojë e gjykojë profesionalisht “kryeveprën” mediatike të Erjon Banit dhe dy prokurorëve specialë që janë pranëmendsh njëri-tjetrit për mbajtjen në burg të Erjon Veliajt.
Ndërsa Dadon do duhet ta ç’vidhosë ‘Usta Pëllumbi’ sot, zëdhënësit televiziv të “sametgurgurëve” të SPAK është detyrë e medias t’i heqë nga misioni dezinformues nesër.
Çështja e SPAK, çështja e Veliajt, çështja “Meta”, çështja “Berisha” apo çështja “Rama”, s’mund të lihen në duart e “Ols Dadove” dhe avokatëve të tyre “pa pagesë”, që përfituan nga dëshira e popullit të dëshpëruar për drejtësi dhe i zunë “pusi” duke e vrarë më pas atë.
Larg o Zot që sorrat të fitojnë ndaj pëllumbave!