Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi dje në SPAK një kallëzim ndaj prokurores Manjola Kajana, me argumentin se ka vendosur mosfillimin e hetimeve ndaj ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ka qenë Avokatja Adriana Kalaja, e cila jashtë ambienteve të SPAK deklaroi para mediave se prokurorja Kajana akuzohet nga Aleanca për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
“U paraqitëm pranë SPAK dhe GJKKO, pasi depozituam dy dokumente të përpiluara nga ne, e para ka të bëjë me ankimin që kemi bërë ndaj vendimit të prokurorit të SPAK për mosfillimin e hetimeve për kallëzimin që bëmë, që lidhet me ambasadorin Soreca dhe kryebashkiakun Veliaj, të cilët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në sistemin gjyqësor.
E kemi argumentuar veprën penale të konsumuar nga Soreca që e ka kryer edhe në ndikim të paligjshëm të Veliajt, por Manjola Kajana nuk e ka parë të arsyeshme fillimin e hetimeve. Në ankimimin tonë që kemi bërë në GJKKO kemi evidentuar pse duhet të regjistrohet procedimi penal dhe pse Soreca e Veliaj duhet të paraqiten para ligjit.
Të dy këta në bashkëpunim kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në organet te sistemit të drejtësisë”, deklaroi Kalaja. Nga ana tjetër aktori e regjisori Edmond Budina, theksoi se lufta e Aleancës do të vijojë derisa Teatri të ndërtohet aty ku ishte. “Kisha vetëm dy fjalë, dua të them, edhe pse janë pushime, udhëheqësit tanë bëjnë plazhe kur Shqipëria digjet.
Jemi këtu, do të vazhdojmë luftën për drejtësi. Siç e tha Adriana, ligji është i barabartë për të gjithë. Ai qytetar ka bërë shkelje të rëndë. Ta flenë mendjen të gjithë, nuk tërhiqemi. Menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendimin, ata nxorën VKM të transferimit të truallit. Jemi të vendosur për ta çuar deri në fund. Jemi këtu për të vazhduar luftën derisa Teatri të ndërtohet aty ku ishte, ashtu siç ishte”, deklaroi Budina.