Mesditën e sotme rreth orës 12:00 kunati i Babales, Fredi Alizoti do të pyetet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai është personi që luajti rolin e Agron Xhafajt në audio përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike. Ndërkohë që ai u shfaq edhe në një video të publikuar nga deputeti Ervin Salianji duke përfshirë në këtë çështje drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe deputetin e PS, Taulant Balla.
Ai pretendon se është marrë me forcë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të dhënë në Prokurori dëshmi të rremë lidhur me çështjen “Babale”. Gjithashtu, ai pretendon se është takuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili i ka premtuar para për të ndryshuar versionin e ngjarjes. Por, si Policia e Shtetit ashtu edhe deputeti socialist, Taulant Balla, mohojnë akuzat e Fredi Alizotit.
Por nga ana tjetër, sipas përgjimeve të Prokurorisë të cilat “Shqiptarja.com” i publikoi ekskluzivisht dy ditë më parë, Fredi Alizohet, në biseda telefonike me “Babalen” por edhe persona të tjerë si Florenc Hoxha dhe Erzen Breçanin, ish-policë në kohën e PD, thotë se zërin e Agron Xhafajt e ka bërë ai, si dhe për vënien në jetë të këtij skenari do paguheshin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemër Salianji. Gjithashtu, Alizoti shprehet i zhgënjyer me Albert Veliun, i cili nuk i ka dhënë asnjë lek dhe ishte larguar në drejtim të Kosovës për azil.
Ndërkohë që për këtë cështje edhe deputeti i PD, Ervin Salianji është zyrtarisht nën hetim për kallëzim të rremë. Report Tv mëson se deputeti demokrat është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të paraqitet të premten për t’u marrë në pyetje lidhur me denoncimin e audio-përgjimit të Albert Veliut (Babales) ku pretendohet se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Salianji do pyetet nga prokurorët Gentjan Osmani dhe Përparim Kulluri./shqiptarja.com