Ardian Dvorani, gjyqtar dhe ish-kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është nismëtar kryesor i reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Kështu vlerëson Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka nderuar gjatë ditës së sotme 12 personalitete, që kanë luftuar kundër korrupsionit dhe kanë mbrojtur transparencën në vendet e tyre.
Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar foton e Dvoranit dhe shkruan:
“|Foto e Ditës| Sot, gjyqtari Ardian Dvorani mori certifikatën e tij të çmimit Kampion Kundër Korrupsionit, shpallur dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Nëpërmjet këtij Çmimi të sapokrijuar, Departamenti i Shtetit vlerësoi punën e guximshme të 12 avokatëve të luftës kundër korrupsionit nga e gjithë bota, përkushtimi i të cilëve për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe siguruar llogaridhënie, ka mbrojtur bashkëqytetarët e tyre dhe ka ekspozuar keqbërjen.
Gjyqtari Ardian Dvorani nga Shqipëria ishte një prej këtyre kampionëve. Departamenti i Shtetit e vlerësoi Dvoranin për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë.
Urime Ardian Dvoranit për përzgjedhjen si një Kampion Kundër Korrupsionit!”, shkruan Ambasada Amerikane.