Pak kohë më parë Kuvendi do të miratojë projektrezolutën “Për Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”, duke përfshirë në këtë rezolutë edhe Moskën. Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Mikhail Afanasiev lidhur me këtë çështje u shpreh gjatë një interviste televizive se ndihet i tronditur nga votimi i ligjvënësve për rezolutën kundër Moskës.
Por ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është në një proces gjyqësor për lobimet ruse, ambasadori Mikhail Afanasiev deklaroi se Basha nuk është financuar nga Moska për lobimet gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017. “U trondita thellë dhe ende nuk mund të gjej një shpjegim se në cilat fakte u bazuan këto pohime. Është e vërtetë, në Shqipëri ka pasur një proces gjyqësor ndaj një lideri opozitar, gjoja për shkak të lidhjeve me shtetas rusë dhe financimit prej tyre të fushatës së tij zgjedhore.
Drejtësia shqiptare e ka shpallur atë të pafajshëm. Nuk është e nevojshme t’i rikthehemi kësaj çështjeje, aq më tepër që aktualisht në Shqipëri nuk ka interesa ruse financiare apo politike”, tha Mikhail Afanasiev. Më tej ambasadori rus komentoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Edi Rama në takimin me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov për qëndrimin e Shqipërisë krah NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
“Të zgjedhësh miq ose partnerë për vete është një e drejtë e padiskutueshme e secilit vend. Nëse pala shqiptare e vendos vetë veten në korniza kaq të ngushta, ne s’kemi ç’interpretojmë. Megjithatë dua të rikujtoj se bota e sotme ka kohë që ka humbur unipolaritetin e saj”, tha ai.
Ndërsa lidhur me ndikimin rus në mediat shqiptare, ambasadori mohoi që Rusia të ketë ndikim në median vendase, madje e cilësoi atë si me orientim “antirus”. “Nëse do të supozohet, se Rusia financon mediat shqiptare, atëherë, me siguri, do të kishte shumë komente dhe artikuj pozitivë për Rusinë dhe politikën e saj. Në fakt shtypi shqiptar ka një orientim të përgjithshëm antirus.
Ai kap me kënaqësi trillimet antiruse të publikuara në shtypin europian, sidomos të vendeve që kanë një qasje jo miqësore ndaj Rusisë. Artikuj prorusë nuk kam parë asnjëherë”, tha ambasadori. Mikhail Afanasiev deklaroi më tej se do të ishte me më rëndësi që njerëzit, të cilët shkruajnë për Rusinë, politikën e saj, veprimet e Moskës në këtë rajon, të përpiqeshin të studionin situatën dhe faktet më thellë dhe jo të bazoheshin në po ato burime, të cilat mbartin informacion negativ për Rusinë.