Jo pak, por 150 oficerë sigurie do të shpërndahen në 150 shkollat më të frekuentuara të vendit, për të siguruar ambiente të sigurta në perimetrin shkollor dhe për t’u kujdesur për shëndetin psikologjik të nxënësve në bashkëpunim me mësuesit, psikologët dhe prindërit.
Zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka dhënë detaje për mënyrën si do funksionojë programi i oficerëve të sigurisë në studion e ERTV.
“Pilotimi i programit në 15 shkolla të Tiranës na ka mundësuar neve dhe akademisë së sigurisë që të evidentojmë fenomenet që duhen trajtuar. Fenomenet që do duhet të trajtojnë janë bullizëm, dhunë në shkolla, shkelje të disiplinës në shkolla, të gjitha këto janë marrë parasysh kur është ndërtuar moduli i akademisë së sigurisë për oficerët që do trajnohen në vazhdim. Pra ata do të merren edhe me çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin psikosocial të nxënëse, por edhe për mbarëvatjen e përgjithshme të procesit mësimor. Oficeri që do të çertifikohet do të ketë objektiva dhe një plan individual pune për shkollën që do mbulojë dhe atë do ta realizojë në bashkëpunim me gjithë mësuesit”, tha Shahini.
Zëvendësministrja shtoi se në avantazh me një punonjës policie, oficeri do të jetë më i përfshirë brenda shkollës duke ndërvepruar më mesuesit, drejtorët dhe psikologët e shkollave për të parandaluar situatat që ndikojnë mbi nxënësin. Sipas saj, kjo është një eksperiencë që vjen nga vendet perëndimore si SHBA.
Zëvëndësministrja sqaroi se oficerët e parë janë trajnuar në Akademinë e Sigurisë, por më pas do të hapet thirrja e aplikimeve për të tjerë oficerë, që mund të jenë edhe persona që kanë studiuar shkenca sociale apo drejtësi.
“150 të tjerët që do të vijë jo domosdoshmërisht duhet të jenë persona që kanë kryer akademinë e sigurisë. Këta do të kryejnë një trajnim të dedikuar një mujor nga akademia, për çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit të sigurisë”, pohoi Shahini.