Amerikanët e “Thisinsider”, në hapësirën e tyre dedikuar destinacioneve turistike i kanë rezervuar një qoshe edhe Shqipërisë, përkatësisht Sarandës. Në një artikull të botuar dy ditë më parë, me titull ‘40 nga destinacionet më të nënvlerësuara të udhëtimit nëpër botë’, Riviera shqiptare cilësohet si një ndër destinacionet më interesante, që gërsheton historinë përmes siteve të mbrojtura nga Unesco bashkë me plazhin e bukur.
Saranda, qytet në jug të Shqipërisë, është njëlloj i njohur për vendet arkeologjike, si dhe për plazhet e saj. Saranda është një vendpushim ideal në Rivierën Shqiptare, që njihet edhe për rrënojat arkeologjike.
‘Ndërsa ju do të gjeni eshtrat e një sinagogë të shekullit të 5 në qytet, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që daton në kohët parahistorike ndodhet rreth 12 milje jashtë Sarandës. Vendi, Butrinti, gjatë periudhës së saj historike funksiononte si një koloni greke, me një qytet romak dhe një peshkop. Nëse preferoni të kapni disa rreze dhe të shtriheni në diell, disa nga plazhet më të njohura në këtë zonë përfshijnë plazhin e Pasqyrave, Santa Quaranta Beach dhe Plazhi i Pulëbardhës. ‘- thuhet në artikull.
“Fotot e një shokut tim që kishte dalë në Plazhin e Pulëbardhës ishin shtysë për vizitën time në Shqipëri dhe kjo vizitë ia vlente kaq shumë”, shkruan një shtetas amerikan, si një përdorues i TripAdvisor.
Si një bonus shtesë, thotë më tej shkrimi i ‘Thisinsider’, ishulli grek i Korfuzit është shumë pranë, mund të aksesohet me vetëm një udhëtim të shkurtër me traget.
Ndër destinacionet e tjera që artikulli përmend janë kudo në botë, nga Karaibet në Japoni, nga Sllovenia në Afrikën e Jugut, nga Teksasi në Danimarkë, nga Kanadaja në Malajzi. Gjithshtu edhe disa plazhe jo të njohura në Itali, Francë, Spanjë, Portugali, Maltë, Britani e Madhe janë pjesë e këtij artikulli. /JAVANEWS.AL