Presidenti Ilir Meta është tmerruar nga rreziku i shkarkimit nga detyra. Teksa Gjykata Kushtetuese ka caktuar 18 janarin si datën e parë për mbajtjen e gjyqit, gazeta ka mësuar se presidenti po lufton fort për të shmangur shkarkimin.
Sipas burimeve, presidenti po lobon fort në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për të vonuar sa më shumë të jetë e mundur procesin e plotësimit të vakancave në Kushtetuese. KED pak ditë më parë bëri kualifikimin e kandidatit të parë nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që dy u skualifikuan, por dje janë dhënë sinjale se procesi po zvarritet. KED ka vendosur që raportet për kandidatët t’i prezantojë dyshe, pra në çdo mbledhje vetëm për dy kandidatë.
Të premten ata do të mblidhen për të shqyrtuar raportet për Albert Demirnelin dhe Alket Jaupin. “Bazuar në Ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregullores së Brendshme për Funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” (e përditësuar), K.E.D. njofton thirrjen e mbledhjes së radhës:
Ditën e premte, më 26 Nëntor 2021, ora 13.00, pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me këtë rend dite: Prezantimi i relacioneve të përgatitura nga anëtarët e KED për kandidatët Albert Demirneli dhe Alket Jaupi, të cilët kandidojnë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant të z. Fatmir Hoxha. Pyetje, diskutim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e KED. Ndërkohë pritet që më pas të prezantohen raportet për dy kandidatët e tjerë Sandër Beci dhe Vatë Staka.
Zvarritja e procesit
Pra sinjalet janë të qarta se KED vetëm në 10 ditëshin e parë të dhjetorit mbyll procesin e shqyrtimit të raporteve. Më pas do të bëhet renditja e kandidatëve dhe në fund emrat do i shkojnë Gjykatës së Lartë, e cila ka 1 muaj kohë të vendosë. Kjo strategji duket se i shkon për shtat presidentit, pasi plotësimi i gjykatës me 8 anëtarë para 18 janarit është i vështirë.
Sipas burimeve, presidenti përmes njerëzve të tij në KED po mundohet ta zvarrisë procesin. Nëse emërohen para 18 janarit emrat e rinj, në Kushtetuese prishen balancat dhe Meta rrezikon shkarkimin. Kryetarja në detyrë Vitore Tusha duhet të largohet.
Duhet theksuar se ajo u propozua nga presidenti për kryetare të KLSH. Të vetmit emra që mund të themi se mund të rreshtohen krah presidentit janë Marsida Xhaferllari që mundësia ështe e paktë pas konfliktit të tij me Bashën dhe Sonila Bejtja që e katapultoi nga notere direkt gjyqtare, pa asnjë provë dhe tagër për të qenë e tillë.
Prandaj presidenti po lufton fort që të mos ketë plotësim të vakancave në Kushtetuese edhe këtë po e bën përmes “ushtarëve” të tij në KED.
Amerikanët të shqetësuar
Gazeta ka mësuar nga burime pranë KED, se ambasada amerikane është duke monitoruar me shumë kujdes procesin dhe është e shqetësuar për vonesat që po ndodhin. Madje sipas burimeve, amerikanët janë në dijeni edhe të ndërhyrjeve të presidentit, i cili po mundohet që të zvarrisë procesin. Ata po ndjekin me kujdes situatën, por sipas të dhënave nga brenda intitucionit, pavarësisht vonesave situata e presidentit është mjaft e vështirë. Amerikanët e kanë bërë të qartë se nuk e duan as atë dhe ndikimi i Metës në Kushtetuese për të bllokuar vendimin do jetë tepër i vështirë.