Shqipëria po merr çdo herë e më shumë vëmendjen e të huajve, të cilët zgjedhin jo vetëm ta vizitojnë por dhe për të jetuar.
Ben nga Amerika është një prej tyre, i cili jeton dhe promovon turizmin shqiptar nëpërmjet videove në youtube. Ishte kryeministri Rama ai i cili njohu ndjekësit në rrjetet sociale me Ben i cili së fundmi ka sjellë për vizitë dhe prindërit e tij në Shqipëri.
“Po lejmë Sarandën dhe po shkojmë më lart në Rivierën shqiptare. Do shkojmë në Dhërmi, do ndalojmë dhe në fshatin e Qepërosë. Pastaj do shkojmë në Porto Palermo dhe do hamë drekë në Himarë”.
Përveç vendeve turistike, amerikanët kanë provuar dhe gastronominë tradicionale.
“Prindërit e mi po provojnë dhallë për herë të parë. Ata kaluan shumë mirë dhe mezi presin të vizitojnë sërish Shqipërinë”.
“Ben është një amerikan që sheh një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Pas studimeve në Universitetin e Oksfordit dhe një sërë eksperiencash në Azinë Juglindore dhe Tanzani, së bashku me të dashurën e tij shqiptare prej të cilës ka zbuluar Shqipërinë, kanë vendosur të jetojnë në Tiranë”, shkruan kryeministri Edi Rama krah videos së Ben në Shqipëri teksa i shpreh publikisht dhe një falenderim.