Po të mos kishte qenë raporti i RSF-së (Reporters sans Frontiers) disa muaj më parë që sa i takon lirisë së medies e rendiste Shqipërinë me ato vende ku gazetarët vriten dhe qeveria heq internetin, po të mos kishte qenë edhe një raport tjetër i ca njerëzve vanitozë dhe të panjohur për opinionin publik, që shkruajnë raporte nën efektin e ajrit të dendur të kondicionerëve kinezë dhe që në emër të disa ojq-ve fantazma, marrin euro apo dollarë për të raportuar se në Shqipëri media vuan nga dhuna e qeverisë dhe dhuna e pronarëve dhe sidomos po të mos kishte qenë ky alarmi i fundit për rrezikun e lirisë së medias në Shqipëri që u riprodhua nga një dialog mes kryeministrit dhe një gazetari riosh që pyet jo për të informuar publikun, por për të zëvendësuar mikrofonat e « Foltores », pra po të mos ishin të gjitha këto nuk do ta nisja këtë koment, sepse është krejtësisht e kotë që të thuash atë që ndodh realisht në këtë vend.
Për t’i qetsëuar të gjithë ata që janë skandalizuar nga ajo sjellje e Kryemnistrit i cili nuk pranoi tî përgjigjej një gazetari axhami që si ata kapuçonët e zinj që mbante PD-ja bën pyetje që kënaqin afshet e Foltores dhe për t’u rifreskuar kujtesën atyre remzilanasve, pra, ata që popullojnë Institutin e medias së Remzi Lanit dhe që kanë vënë alarmin se pyetja në gazetari është e shenjtë dhe me qenë se kjo kategori tash në fund ndjehet më afër me Trumpin që ëndërron « Foltorja », po rendis në anglisht disa nga komunikimet e Trumpit me gazetarët :
1. Trump Attacks CNN, NBC Reporters At News Conference: ‘You Are A Rude, Terrible Person’ | NBC News
(https://www.youtube.com/watch?v=s1WkFpbHIpI)
Trump clashes with Jim Acosta in testy exchange
2. Donald Trump shuts down CNN reporter: “You’re fake news”
3. Donald Trump refuses question from ‘fake news’ CNN
Këto janë vetëm disa nga komunikimet e ish-presidentit Trump me median. Megjithatë askush nga ojq-të në botë dhe në SHBA që merret me studimin dhe investigimin e lirisë së mediave në SHBA nuk tha që atje liria e medies është në rrezik. Pse? Sepse në një vend të lirë e demokratik liria e medias nuk janë vetëm konferencat e shtypit të presidentëve apo kryeministrave. Këtë sjellje të Trump unë personalisht nuk e vlerësoj, por ama as nuk e paragjykoj sepse ai, përpara se të jetë presidenti i vendit më të madh dhe më të fuqishem të globit, është edhe njeri.
Po le të kthehemi të Edi Rama. Çfarë bëri Edi Rama që u cënua dhe u shkel liria e medies në Shqipëri ? I tha një gazetari që nuk të përgjigjem, mëso të bësh pyetje dhe për tre muaj derisa të kesh mësuar se si bëhen pyetjet nuk do të marrësh pjesë në konferencat e shtypit në Kryeministri. Nuk i tha siç bëri Trump me gazetarin e CNN-it që ti je një « rude person » që stacioni yt është rrezik kombëtar për Shqipërinë siç e akuzoi Trump CNN-in. Asnjë nga këto. Por edhe sikur debati mes një gazetari dhe kryeministrit të kishte vazhduar, këtu nuk do të kishte asnjë gjë të keqe. Ne kemi rastin kur një kolegu ynë në shenjë proteste hoqi pantallonat para Edi Ramës dhe askush nuk u skandalizua. Kjo është pjesë e lojës në demokraci.
Mirëpo, për fat të keq, në këtë vend janë shtuar me shumicë disa organizime njerëzish vanitozë që përbëjnë anën më të errët dhe më të keqe të shoqërisë civile. Ato janë disa celula njerëzish të përkedhelur që mbajnë lidhje të dyshimta me disa donatorë europianë dhe marrin mijëra euro për të bërë raporte në të cilat nuk tregohet Shqipëria dhe media, por tregohen perceptimet dhe frustrimet e tyre, që quajnë gazetari pyetjet në konferenca shtypi.
Shqipëria është vendi kampion në Ballkan që lirinë e medias e ka të institucionalizuar dhe ky institucionalizim duket në aksesin që kanë të gjithë qytetarët për të marrë informacion përmes internetit dhe drejpërdrejt në të gjitha zyrat dhe skutat e shtetit. Ne jemi i vetmi vend ndoshta që internetin e kemi kudo. Ashtu siç ndodhi në fillim me gazetat, që kishim numrin më të madh të gazetave për frymë popullsie, sot kemi numrin më të madh të TV-ve për frymë popullsie dhe sapo krijimi i blogjeve dhe mediave on-line u bë modë, shqiptarët e bënë sport kolektiv çeljen e këtyre medieve. Të mos harrojmë krijimin e blogjeve të vegjël dhe grupeve të ndryshme që lidhen sipas përkatësive nga më të çuditshmet që popullojnë të gjitha rrjetet sociale FB, Instagram e të gjitha.
Si u shkelka liria e medies në këtë vend ku emisionet e vërteta investigative duke fillaur nga « Fiks Fare », « Stop » e të tjera që janë hapur pa fund rrëfejnë dhe tregojnë çdo ngjarje që ato e gjykojnë se është në dëm të interesit publik dhe denoncojnë po ashtu të gjitha ato afera publike apo personale që ato i gjykojnë se janë në dëm të interesit publik.
Për fat të keq ka disa vite që gazetaria shqiptare dhe institutet e tipit remzilanist nxisin medien e salloneve dhe të sallave me kondicioner kinez. Nga mëngjesi deri në darkë do të shohësh vetëm raportime nga zyrat e Tiranës dhe show-modën e parlamanetit.
Kjo lloj gazetarie që ngjet me ato mbërmjet tematiko-dëfrimi që bëheshin dikur i shtohet pastaj ahengut të darkës ku të gjitha mediet pa përjashtim kthehen në kafehane të mëdha ku njerëzit zihen e bërtasin jo nën avujt e alkoolit por nën flamujt melankolikë të partive.
Dhe gjithë këtë spektakël e monitorojnë policët apo policet e disa ojq-ve fantazma të paguara nga europianët me euro që të tregojnë se si u soll kryeministri me klientët e lokalit, se përse kur ata e gjuajtën me bojë llafesh nga ato të Saliut ai refuzoi ta merrte bojën në fytyrë.
Dhe për ta përmbyllur do të thoja se është kollaj të dukesh si gazetar kur pyet për idiotësinë e radhës. Është e vështirë të investigosh, të raportosh me dokumente dhe me fakte për të gjitha akuzat që bën. Mirëpo kjo kërkon dije, inforamcion dhe djersë.
Ndaj të gjithë ata që shqetësohen për lirinë e medies në këtë vend, është mirë të bëjnë presion që gazetarët të mësojnë të raportojnë me dokumente dhe me fakte dhe jo me konferenca shtypi.