Neveria ndaj opozitës aktuale është edhe më e madhe se neveria e video-skandalit të ish kryebashkiakut socialist Safet Gjici. Zgjedhjet ne Kukës për kryetarin e ri të bashkisë rikonfirmojnë dukshëm fitoren e socialistëve me një epërsi te madhe vote. Tani është momenti i nje analize me një konkluzion të thjeshtë.
Kjo opozitë nuk ndez besim, nuk ndez shpresë. Kjo po vërtetohet rast pas rasti në zgjedhje të përgjithshme e të pjesshme, në zgjedhje lokale e parlamentare. Me atë skandal ku zyra e kryebashkiakut ishte shndërruar si një studio filmash pornografikë, fitorja e opozitës duhet të ishte e padiskutueshme, duke patur parasysh edhe historikun politik të Kukësit si nje bastion i demokratëve.
Por jo më. Duket se asnjë akt korruptiv apo moral sado i madh apo skandaloz qoftë, nuk e tejkalon dot neverinë që kanë krijuar në popull xhaketat e lodhura, të vjetra dhe pa ide e frymëzim të lidershipit opozitar.
Me vulë e pa vulë kjo opozitë e ka mbyllur misionin, nuk ka më as forcë, as mendësi e as ide sesi të krijojë një strategji fituese qoftë edhe të rreme për njerëzit. Pra nuk prodhon më dot as gënjeshtra dhe demagogji deri në këtë pikë ka arritur shterpësia e saj politike.
Dhe kjo është pika fundore që tregon se nuk ka më as mundësi dhe as as fuqi për të barazuar e jo më për të mundur apo larguar Edi Ramën nga pushteti. Me inceneratorë, pa inceneratorë, me pallë e pa pallë në dorë, Berisha&co e kanë shndërruar me ose pa dëshirën e tyre Edi Ramën në një perandor.
Nëse do të vazhdojnë kështu nuk duhet pritur fitorja e opozitës, por dita kur perandori të abdikojë vetë nga froni. Për këtë opozitë e për këta hallexhinj që mban ajo brenda saj, Rama do “mumifikohet” në pushtet çfarë do që të ndodhë në oborrin politik të partisë dhe qeverisë se vet. Dikur social/komunistët e Enver Hoxhës thonin “rrofsh sa malet moj parti”. Sot Edi Ramës i takon të thotë “Rrofsh sa malet o Sali”!