Nga Andi Bushati
Lehtësimi i hallit të amerikanëve për të shpëtuar jetët e bashkëpunëtorëve të tyre në Afganistan, tani që duket se talebanët janë në brendësi të Kabulit, ka gjetur një konsensus të gjërë në spektrin politik shqiptar. Pasi agjensia e lajmeve Reuters dha e para lajmin, pasi kryeministri Rama, i detyruar nga precipitimi marramendës i ngjarjeve, që po kap në befasi edhe vetë Uashingtonin, u detyrua ta pranojë atë, opozita zyrtare nxitoi të flasë me gojën e Lulzim Bashës për tu renditur përkrah SHBA-së.
Madje edhe i vizatuari si anti amerikani i madh, Sali Berisha, e konsideroi pranimin e bashkëpunëtorëve afganë të Amerikës si një detyrim moral dhe ligjor.
Deri këtu në princip gjithçka është në rregull. Jo vetëm Shqipëria, po secili vend që mbron parimet e demokracisë, lirisë së fjalës, së besimit dhe veprimit politik, ç’do kush që është i mbrujtur me vlerat e solidaritetit dhe humanizmit duhet të vepronte kësisoj.
Thënë këtë-, pra duke qenë pro hapjes së dyerve për ata njerëz të cilëve u kërcënohet jeta-, ka disa pyetje që ngrihen, disa enigma që mbeten, disa fakte që fshihen, të cilat e bëjnë të gjthë këtë ndërmarrje ti ngjajë më shumë një servilizmi të pështirë personal të klasës sonë politike ndaj hiperfuqisë botërore, sesa përqafimit me bindje të një pakete parimesh të larta.
Natyrisht, Shqipëria është një vend periferik dhe tejet i papërfillshëm për të hapur debate gjeopolitike të tilla se, si u shkri dhe u shpërbë me aq lehtësi një ushtri e stërmadhe e stërvitur dhe e financuar nga SHBA? A dështoi njëherë e përgjithmonë ideja e fillim viteve 2000 për eksportimin e demokracisë? Si ka mundësi që Uashingtoni mbështeti për vite me radhë një regjim të korruptuar që u shemb si kështjellë rëre para talibanëve, më të pakët në numër dhe më të pa armatosur? A përputhet kjo strategji e tërheqjes blitz me slloganin e Bidenit “America is back” në skenën globale, që mëtonte të krijonte një thyerje me politikën e jashtme të Trump?
Kontradiktat e vendimit amerikan janë të pafundme, por gjithsesi, këtu në mikrokozmosin tonë të vogël është më e dobishme dhe më e shëndetshme të fokusohemi te dilemat që na shkojnë për shtat.
Pse një lajm kaq i rëndësishëm I’u mbajt i fshehtë publikut shqiptar dhe u zbulua nga një media ndërkombëtare? A pati një diskutim dhe konsensus paraprak për këtë? Me kë u konsultua kryeministri Rama kur-, ashtu sikurse pranon vetë-, u vetëofrua në samitin e NATO-s ta luajë këtë rol?
Dhe më tej: Po vërtet, ne duhet ti pranojmë ata banorë të Kabulit dhe qyteteve të tjera të mëdha, që përkthyen për perendimorët, që shpesh u shpëtuan jetën atyre, që ndihmuan forcat ushtarake në betejën me obskurantizmin, po a kemi të drejtë ne të dimë se sa do të rrinë këtu, përpara se të largohen për në SHBA? Se sa do të jenë në numër? Se ku do të qëndrojnë?
Sepse kështu si po ngjizet ky proces, i cili propogandohet se bëhet në emër të popullit, të kodit tonë të besës, të traditës së mikpritjes, të vazhdimit të ndihmës që u dhamë hebrejve, duket sikur e shpërfill krejtësisht respektin ndaj sovranit.
Më shumë ai i ngjan pakteve okulte, që SHBA shpesh ka bërë në histori me regjime autoritare dhe diktatoriale, ku vendimet i merr një njeri i vetëm.
Edi Rama nuk e humbi rastin për ta përforcuar këtë bindje me mënyrën arrogante se si e shpalli lajmin para shqiptarëve.
Edhe një argument që u potenciua shumë nga kryeministri e që si papagall e përsërit edhe opozita është detyrimi që ne kemi si vende anëtare të NATO-s.
Kjo është një gënjeshtër.
Në fillim të këtij muaji letra e nënshkuar nga gjashtë ministra të brendshëm dhe sekretarësh shteti (Austria, Danimarka, Greqia, Gjermania Holanda dhe Belgjika), që janë pjesë e Aleancës Atlantike dhe BE, shkaktoi një skandal. Në teksin e saj sekret, drejtuar Brukselit, këto vende kërkonin kthimin urgjent të aryre refugjatëve që kishin kërkuar strehim në vendet europiane.
Kjo qasje që bie ndesh me parimet dhe vlerat bazike njerëzore, e që i çon drejt e në gijotinë ata që janë munduar ti shpëtojnë talebanëve në vendin e tyre, kërkohej me një qëllim të vetëm: Për të mos hapur precedentin e refugjatëve të tjerë drejt Europës, tani kur perendimorët po largoheshin përfundimisht nga Afganistani.
E pra, a jemi ne shqiptarët mbrojtës më të mëdhej të vlerave të shoqërive demokratike se Austria, Danimarka, Gjermaia apo Hollanda? A kemi ne më shumë detyrime ndaj NATO-s se ato?
Natyrisht që jo. Ajo që duhet thënë troç është se vende si tonat përzgjidhen për tjetër arsye: për mungesë të demokracisë së brendëshme dhe për një shpërfillje përçmuese ndaj opinionit të tyre publik.
Pra edhe nëse Rama është vetëofruar edhe nëse I’a kanë kërkuar, ky është thelbi i planit për ti sjellë të larguarit nga Afganistani në Shqipëri.
E këtu dalim tek një problem tjetër. Tek rasti Erdogan që përpos se vëlla Edi Rama e ka edhe si model politik. Tashmë të gjithë analistët dhe kritikët e pranojnë se marëveshja që thuri Merkel me Erdoganin në 2016, për të bllokuar në Turqi dhjetra mijra refugjatët e konfliktit në Siri, që po dyndeshin në portat e Europës, jo vetëm e ka ndihmuar me miliarda regjimin e autokratit turk, por dhe ka zbutur qëndrimin e BE ndaj shtypjes që ai i bën opozitarëve, gazetarëve, universitarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Kjo fabul e njohur, kur një autokrat që ka nënshtruar popullin e tij e përdor atë si monedhë këmbimi për të ruajtur legjitimitetin ndërkombëtar është e njohur.
Ajo rrezikon të përsëritet edhe tek ne.
Prandaj cilido që realisht është pro ardhjes këtu të të larguarve nga Afganistani, në ëmër të vlerave demokratike dhe njerëzoëre, duhet të militojë njëkohësisht që ata të mos shndërrohen padashur në roje të një regjimi të njëjtë me atë që është instaluar në brigjet e Bosforit.
Ne duhet të jemi po hapjes së dyerve për ta, por kundër mënyrës se si kjo po ndodh.