Sali Berisha shkoi në sallën ku mbahen mbledhjet e Asamblesë Parlamentare të KE në Bruksel dhe foli në një seancë dëgjimore me 11 vetë, ku katër ishin Fredi Bejleri, Albana Vokshi, Vangjel Dule dhe Fatmir Mediu. I ekzaltuar nga salla, si një futbollist U-17 që shkon të luajë në Camp Nou të Barcelonës, megjithëse stadiumi bosh, filloi fjalimin qesharak: Thiz iz ei mirakëll of fridom.
Czarnecski, eurodeputeti polak, që kishte organizuar “dëgjesën” e liderit opozitar shqiptar, si qokë pa para, ulte kokën kur dëgjonte broçkullat e Berishës, me anglishten e sjellë nga rrugica Mustafa Matohiti. Amerikani Fatmir Mediu ndjehej në siklet kur dëgjonte prijësin t’i drejtohej polakut: Aj ask jurop – juropsss!
Polaku Czarnecski s’dinte ku të fuste kokën kur dëgjoi të pagdhendurin nga Shqipëria: E di ça i tha grus nga burgu kryetari Bashkis së Tirans? Prit, mos shko në Ambasadë sa t’vij Aleksi, dmth Aleks Sorosi..
Broçkullat që këpuste në shqip një vit resht për Blinken-in i tha pa pikë turpi edhe atje, në Bruksel: E çova n’gjykat Blinkenin, po poo – Bikoz hi undid mai dinjiti – Ai u çmen fare!
Për Edi Ramën anglishtja i sakatohej fare nga emocioni dhe inati: Edi Rama hav bin, hed bin..Uan dei hi tolld mi in Parlament..Hi du evrithing tu limit auër komunikejshën uith pipëll…identikall of Kabul media..hi ben Tik Tok etj etj..
Komentuesja e Syri-t që përkthente live kreun e Opozitës, përpiqej ta zbukuronte apo arnonte sa mundte shëmtinë që dëgjohej me zërin e tij nga Brukseli: Eni kontakt uith majsellf – u përkthye: u përpoqën të më izolonin që të mos kisha asnjë kontakt me Partinë time.
Broçkullat u thanë të gjitha, në anglisht. Me anglishten e një nxënësi të keq të klasës së katërt në Shkollën “Ali Podrimja” të Tropojës.
Problemi me prijësit tanë anglisht folës ose gjuhë të huaja folës është i vjetër dhe i njëjtë. Ata përpiqen të tregohen eruditë, i dinë të gjitha. Flasin në evente zyrtare, në gjuhën e Europës, apo të Amerikës. Por ata s’janë të tillë, por këtë e bëjnë vetëm t’i duken popullit që dëgjon nga ekranet, popullit të thjeshtë shqiptar, që nuk habitet me anglishten e tipit “ Thiz iz ei mirakëll of fridom”.
Por ata, europianët dhe amerikanët tundin kokat në shenjë të sjellshme miratimi kur dëgjojnë broçkullat në gjuhën e tyre, të udhëheqësve tanë, nga ana tjetër nënqeshin me bagazhin e tyre poliglotik. Ashtu si nënqeshin kur u shohin kostumet dhe kravatat e blera në Paris apo Bruksel, për t’i çuar me valixhe diplomatike në vendin më të varfër të Europës.
Sado të përpiqen përkthyeset e Saliut për t’i zbukuruar fjalitë e franko-anglishtes së tij ku na i sjellin simultan në shqip, ata mbeten “Ei mirakëll of lenguixh”; njëri nxënës që s’meriton as 4 dhe tjetri me shkelma dhe mik, një copë 5.