Edi Paloka, është shprehur se Sali Berisha është kryetar i Partisë Demokratike, ndërsa thotë se Lulzim Bashën e sheh vetëm nëpër meme.
Në një lidhje live në News24 ai ka komentuar situatën politike në vend, ku tha se qytetarët duhet të ngrihen në protestë për të drejtat e tyre.
“Qytetarët duhet të ngrihen në protesta për të drejtat e tyre dhe për një vend më të mirë për fëmijët e tyre. Në Kuvend nuk ka normalitet, sepse të drejtat e opozitës po shkelen përditë. Lulzim Bashën e shoh vetëm nëpër meme. E them realisht, nuk e them për shaka.
Njëherë në meme del mes dy bolave që e shtypin. Kryetarin e PD ne e kemi, ai është Sali Berisha, që po goditet nga maxhoranca sepse është kundërshtari real i qeverisjes. Në këto kushte, ne e duam Berishën kryetar. Procesi ndaj Berishës është politik. Në të ardhmen nuk e di çfarë do të ndodhë, mund të jem unë kryetar, mund të jetë Bardhi, mund të mos jemi në politikë, nuk di të ta them këtë”, tha Paloka.
Deputeti demokrat u ndal dhe te protesta para Bashkisë së Tiranës, ku tha se pjesëmarrëse duhej të ishte gjysma e kryeqytetit sepse po vidhen.
Ndër të tjera ai i shpreh se qeveria po shkon nga skandali në skandal dhe se SPAK-un do ta besojë vetëm nëse thërret kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiaun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Është një drejtësi me regji e Edi Ramës. Vjedhja kaq hapur në mes të ditës është arroganca e njerëzve që nuk i tremben drejtësisë, sepse thonë na mbrojnë ata lart. Nuk e kanë menduar se mund t’i duhen një ditë Ramës. Është drejtësi me regji, që është në interes të atij që e luan këtë lojë.
Për 700 mijë euro të Metës, që më vonë gjykata vendosi që as filmimet nuk ishin të vërteta, u bë gjithë ai 21 Janar. Në protestën para Bashkisë duhet të ishte gjysma e Tiranës, sepse të gjithë janë të vjedhur. Veliaj është një zar i Edi Ramës, lidhjet e tyre me Soros bëjnë që të kenë “çiftizim”, sepse nuk besoj se e duan shumë njëri-tjetrin. Unë kam thënë se SPAK është si Sigurimi i Shtetit.
Rama po përdor SPAK siç përdorte Enver Hoxha Sigurimin. Kjo qeveri shkon nga skandali në skandal. SPAK-un do ta besoja, kur minimalisht të thirreshin për këto skandale Rama e Veliaj, por nuk i ka thirrur njëherë as si persona që kanë dijeni, as nuk guxon t’ju përmend emrin. Edhe Olsi Ramës është i zhytur, është deklaruar lidhja e tij me trafikantët. Olsi Rama dhe Edi Rama duhet të shkojnë të dy në burg. Ne kërkojmë qeveri teknike. Po përgatitemi për përballje”, tha Paloka.