Nga Adrian Thano
Antienveristët
U përmend emri i Enver Hoxhës në një dokument zyrtar të Kuvendit. Reagimi ishte i shpejtë dhe i zhurmshëm. E gjithë klasa politike, e vjetër dhe e re, nxitoi të japë prova besnikërie ndaj demokracisë, duke “denoncuar” fort diktaturën dhe diktatorin.
Një teatër bajat tashmë, ku skenari është i njëjti prej dhjetorit ’90. Publiku i lodhur i njeh rolet përmendësh, i njeh edhe marifetet, dhe gjithçka tingëllon si një reprizë e dëgjuar mijëra herë.
Problemi i sotëm i Shqipërisë nuk është emri i Enver Hoxhës në një listë përkujtimore apo çfarëdo qoftë. Problemi është se maskat janë ndërruar, por shfaqja është po ajo. Këta që thërrasin më fort kundër diktaturës së vdekur janë të njëjtët që kanë ngritur mini-diktaturat e tyre sot më të gjalla se kurrë.
Këta autoritarë të padurueshëm ndaj kritikës me duar të gjata në xhepat e shtetit, të etur për pushtet me dekada, të rrethuar me erën e vjetër të servilizmit, janë bërë tashmë mjeshtra të sharjes dhe konfliktit teatral, njëherazi pengmarrës të kësaj demokracie në emër të së cilës flasin.
Barkngopur por shpirtzbrazur, tenderaxhinj banalë të përjetshëm, në 30 vjet “liri”, arritën të prodhojnë më shumë pasiguri, papunësi, emigracion dhe beton, sesa mirëqenie. Një dështim turpërues, për një vend ku natyra ka qenë kaq bujare. Në thelb kanë dështuar si njerëz, përpara se të dështojnë si politikanë.
Ndërtuan karriera mbi luftën ndaj komunizmit, shesin sot e gjithë ditën “ëndrrën europiane”, por kanë ngatërruar kolltukun me qytetarinë. Ashtu siç nuk kanë ditur të qeverisin, nuk dinë as të largohen me dinjitet. Hipokrizia e tyre është e vetmja gjë që nuk ka pasur krizë.
Ndërkohë shumë shqiptarë kanë nostalgji – jo për Enverin si kult, por për disa gjëra që, sot, janë zhdukur: një sistem shëndetësor dhe arsimor funksional, ndjenjën e rendit, dinjitetin ndërkombëtar të pasaportës, ndjesinë se shteti nuk i përkiste vetëm të fortëve dhe të korruptuarve.
Nuk ka tallje më të hidhur ndaj kujtesës historike sesa fakti që shumë prej udhëheqësve të sotëm janë fëmijë, nipa apo mbesa të atyre që ndërtuan atë sistem. U shkolluan në shkollat e tij, e përdorën sistemin, dhe sot, ndërsa e denoncojnë, përfitojnë nga trashëgimia e tij – dhe jo për ta ndrequr.
Në vend të zhurmës bosh mbi “gabime protokollare” me Enverin e vdekur në shtrat 40 e kusur vite më parë, ndoshta do bënim mirë të ndreqnim sjelljet që kanë mbetur në shpirtin e sistemit të sotëm.
Sepse ajo që e vret më shumë demokracinë, nuk është hija e diktaturës – por imitimi i saj nga shakaxhinjtë e përparimit që pretendojnë ta kenë përmbysur.