Viti 2022 pritet të sjellë zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që të ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar.
Gazeta ka mësuar se në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë 2 dosje të zjarrta, të cilat pritet të tronditin themelet e politikës. Sipas informacioneve, mësohet se pas hapjes së këtyre dy dosjeve, SPAK pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në prangat e policisë do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, ish-ministra dhe ministra.
Në ditë në vijim gazeta do japë detaje se për çfarë dosjesh bëhet fjalë, por sipas burimeve brenda këtij muaji do ketë lëvizje të bujshme nga Prokuroria e Posaçme. Po ashtu, gazeta ka mësuar se në tryezën e Prokurorisë Speciale janë mbi 200 dosje, të cilat po hetohen për veprën penale të korrupsionit. Sipas informacioneve aktualisht SPAK ka nën hetim rreth 348 procedime. Mësohet se nga këto procedime janë të mbartura që nga viti 2020, nga të cilat 134 kanë të bëjnë me veprat penale të korrupsionit.
Ndërkohë, sipas burimeve të gazetë Prokuroria Speciale në total për të hetuar ka rreth 215 dosje, nga këto gjysma e tyre kanë të bëjnë me abuzimet me tenderat, ndërsa pjesa tjetër për korrupsion. Pra nëse i bëjmë mirë kalkulimet, janë mbi 100 dosje për korrupsion që janë në hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kjo do të thotë se janë shumë ish-ministra, ish-deputetët dhe deputetë aktualë, ish-krerë bashkish dhe krerë aktualë, si dhe drejtorë e ish-drejtorë të lartë që rrezikohen të merren të pandehur, për shkak e janë përfshirë në abuzim me tendera dhe në korrupsion. Kështu që nëse gjithmonë marrim të mirëqenë vendosmërinë e SPAK dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për të hetuar korrupsionin, viti 2022 pritet të tronditë nga themelet zyrtarët e korruptuar.
Kujtojmë që aktualisht në tryezën e prokurorëve të SPAK janë nën hetim shumë dosje, procedime dhe kallëzime penale, në të cilët janë të përfshirë shumë emra të njohur të politikës dhe qeverisë.
Kreu i SPAK: Kemi shumë dosje për zyrtarët e lartë
Por paralajmërimin se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka aktualisht shumë dosje në hetim e konfirmoi pak javë më parë edhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, i cili zbuloi se organet e drejtësisë kanë shumë dosje për zyrtarët e lartë.
“Këtë vit kemi pasur në disa raste, edhe dënime për pastrim të produkteve të veprave penale, përfshirë dhe konfiskimet në vlera të konsiderueshme. Ne jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet më shumë të kemi produkt në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike. Bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë në përdorimin e fondeve.
Kjo është një përparësi e jona, e cila po vlerësohet çdo ditë dhe shpejt do të kemi rezultate konkrete që do i bëjmë publike”, deklaroi ai. Po ashtu, prokuror Kraja theksoi se në dy vite punë të këtij institucioni, janë bërë 891 procedime penale, janë marrë mbi 400 të pandehur në gjykim si dhe 62 vendime konfiskimi me vlerë 75 milionë euro. “Në këto dy vite edhe kemi punuar.
Kemi pasur 891 procedime penale, kemi dërguar 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 kemi marrë vendim. Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”, nënvizoi Kraja.