Dalin në dritë të tjera detaje mbi kaosin që ka mbërthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit. Gazeta ka treguar këto ditë se si institucioni ka ulur ndjeshëm rendimentin e auditiveve dhe kjo për shkak të ndryshimeve në staf. Drejtori i ri ndryshoi strukturën e KLSH dhe ka pasur një sërë shkarkimesh në radhët e drejtorëve dhe të audituesve.
Sipas burimeve nga ky institucion, janë shkarkuar edhe individë me përvojë shumë të gjatë në KLSH, të cilët kanë qenë shtylla e auditiveve. Ata janë zëvendësuar me emra të rinj dhe me pak përvojë e kjo ka sjellë kaos me auditimet.
Por ashtu siç ka folur gazeta me prova gjithë këto dit, të njëjtën gjë do të bëjë edhe sot. Në Gjykatën Administrative të Tiranës ka pasur një numër të madh padish dhe gazeta ka siguruar disa prej tyre, të cilët janë të shumtë në numër për hir të së vërtetës. Për shkak të konfidecialitetit nuk po japim emrat e paditësve, por po tregojmë objektin e padisë të bërë nga një punonjës.
“Shfuqizimi i Vendimit “Për Lirimin nga Shërbimi Civil” Nr. 834 Prot., date 28.07.2021 i Drejtorisë së Burime Njerëzore pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit. 2. Shfuqizimi i Vendimit për Ndërprerjen e Marrëdhënieve të Punës dhe Financiare Nr. 834/1 Prot., date 28.07.2021 i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. 3. Detyrimin e palës së paditur të më riktheje në vendin e punës; 4. Detyrimin e palës se paditur të më paguaje pagat duke filluar nga data e ndërprerjes financiare 20.08.2021 deri ne momentin e rikthimit ne pune; 5. Detyrimin e palës së paditur të paguaje shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore”, thuhet në padinë e një punonjësi të shkarkuar nga detyra në muajin korrik 20221.
Një tjetër padi e ngjashme është bërë nga një tjetër punonjës i shkarkuar nga detyra në datë 22.7.2021. Edhe ai kërkon që të shpallet i pavlefshëm vendimi. Ndërkohë nga paditë që ka siguruar gazeta del në pah dhe një element tjetër, pasi kryeri i KLSH ka “shpikur” një formular për vlerësimin e punës së punonjësve dhe në bazë të së cilit duket se kanë ardhur dhe shkarkimet.
“Konstatimi e pavlefshmërisë absolute te Aktit Administrativ “Formulari i vlerësimit të punës “datë 15.07.2021 Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Aktit Administrativ, Rivlerësim i datës 21.07.2021 i Kryetarit te KLSH sipas ankimit te paraqitur nga paditësi në datën 19.07.2021. Detyrimin e palës së paditur për të shlyer shpenzimet gjyqësore dhe avokatore”, thuhet në padi.
Largimi nga shërbimi civil
Ajo që vihet re nga paditë që janë bërë në Gjykatën Administrative të Tiranës është fakti se janë shkarkuar individë nga shërbimi civil. Të gjithë e dinë se largimi i një personi të shërbimit civil nga detyra është mision thuajse i pamundur.
Sipas burimeve, para se të vinte në detyrë Arben Sheu, pjesa dërrmuese e punonjësve të KLSH kanë qenë me shërbim civil. Të gjithë vinin nga Sholla e Administratës Publike, ku i ishin nënshtruar testeve dhe të gjitha provimeve që duhet të kalojë një person para se të jetë pjesë e shërbimit civil. Por pjesa më e madhe sot janë të papunë për shkak të reformës që kë nisur në verën e këtij viti.