Kryeministri Edi Rama dje ka reaguar ndaj vendeve që nuk pranuan të strehonin afganët. Rama tha se nuk e kupton ende sesi vende më të pasura sesa ne u kanë kthyer shpinën afganëve. Ai u shpreh se një gjë e tillë bie në kundërshtim me atë që vendet duhet të pasqyrojnë.
Kreu i qeverisë ka folur për “The Guardian”, duke deklaruar se ne e kemi provuar vetë se si është të jetosh në diktaturë kështu që sipas tij, është nder dhe detyrë t’i japësh strehim dikujt. “Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku.
Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë. Nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund tu kthejnë shpinën. Kjo bie në kundërshti me vlerat që ne predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij”, tha Rama.
Ardhja e afganëve pritet këtë javë ku do të strehohen në Durrës e Tiranë. Bëhet e ditur se kostoja financiare lidhur me akomodimin dhe ushqimin e tyre do të mundësohet nga NATO. Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi mbështetjen ndaj situatës duke u bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë dhe të mundësojnë largimin e sigurtë të shtetasve që duan të largohen.
“Duke pasur parasysh situatën e përkeqësuar të sigurisë në Afganistan, ne iu mbështesim, po punojmë për sigurinë dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi.
Afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë; rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet. Populli afgan meriton të jetojë në siguri dhe dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, njoftoi DASH.
Nis përgatitja e vendit për ardhjen e afganëve
Vendi ynë ka nisur të gjitha përgatitjet për pritjen e qindra afganëve të kërcënuar nga talebanët. Këtë gjë e bëri të ditur ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila me anë të një postimi në rrjetin e saj social Twitter deklaroi se vendi ynë është i gatshëm të presë qindra afganë.
Xhaçka teksa shpërndau njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, deklaroi se Shqipëria do t’u qëndrojë në krah aleatëve të saj. “Shqipëria është gati të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, deklaroi Xhaçka. Po ashtu edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklaroi se është i gatshëm të japë ndihmën e saj në këtë situatë sa herë të jetë nevoja.
“Institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për këtë rast. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës”, thuhet në njoftim. /SHKRUAR NGA ALEKSANDRA HOXHAJ