Bashkia e Korçës ka reaguar pasi është vënë në qendër të kritikave për shkak se ka ftuar këngëtarin serb Goran Bregoviç në festën e birrës që do të organizohet nga data 18 deri më 22 gusht.
Në rrjetet sociale janë shtuar thirrjet për anulimin e ftesës për Bregovic, ndërsa Bashkia i quan kritikat si një përpjekje për të dëmtuar imazhin e Korçës.
Në reagim theksohet se Goran Bregovic është mirëpritur në çdo cep të botës, i cili ka “kapërcyer prej vitesh kufijtë e Ballkanit, e ka mirëpritur edhe Tirana në vitin 2006”.
“Të pandjeshëm janë ata që hedhin gurin e ndasive dhe fshehin dorën që prek koren e plagëve të vëllezërve shqiptarë të Kosovës duke shpifur, trilluar e manipuluar e deri duke vënë në gojën e drejtuesve të bashkisë fjalë të pathëna për t’i fryrë zjarrit të ndezur po prej tyre dhe për të fyer sakrificat e shqiptarëve për liri. Ata harrojnë se Korça dhe korçarët kanë qenë e do të jenë gjithmonë në anën e dritës”.